
Kurti: Kosova vazhdon rritjen ekonomike dhe mbështet sektorin privat
Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë në detyrë, Artane Rizvanolli, komentuan sot rezultatet e raportit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për gjendjen ekonomike dhe masat mbështetëse për sektorin privat dhe ndërmarrjet publike.
Kurti theksoi se Qeveria po punon për të rritur kërkesën agregate dhe për të mbështetur eksportet e Kosovës, si dhe gjenerimin e energjisë elektrike.
“Investimet në rritjen e kapacitetit dhe modernizimin e energjisë sigurojnë jo vetëm efikasitet, por edhe qëndrueshmëri. Lajmi i mirë është që Kosova në çerekun e dytë të këtij viti ka pasur rritje ekonomike prej 4.5% të Bruto Produktit Vendor. Në katër vitet e fundit, mesatarja e rritjes ekonomike ka qenë 6%, pa rënë asnjëherë nën 4%. Këtë vit është 4.58%, pra vazhdojmë të qëndrojmë stabilë dhe nuk ka vend për brengosje”, tha Kurti.

Ministrja Rizvanolli shtoi se përkrahja për sektorin privat është rritur ndjeshëm gjatë këtij mandati.
“Vetëm Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka rritur mbështetjen për bizneset prodhuese nga 500 mijë euro në vit, në 5 milion euro, një dhjetëfishim të përkrahjes. Paralelisht, janë aktivizuar edhe skema të tjera për mbështetje investimesh në efiçencë për ndërmarrjet prodhuese dhe përpunuese. Ftoj të gjitha kompanitë e interesuara të marrin pjesë në sesionin informativ për këtë skemë”, tha Rizvanolli.
Ky diskutim përkon me raportet ndërkombëtare që theksojnë performancën e Kosovës në Ballkanin Perëndimor dhe forcon besimin në stabilitetin ekonomik të vendit. /rtk