
FMN: Shqipëria me ecuri ekonomike të qëndrueshme, rritje me 3.4 për qind
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rishikuar projeksionet për rritjen ekonomike të Shqipërisë për vitin aktual dhe vitin që vjen, duke parashikuar një ecuri të qëndrueshme.
Sipas raportit të tetorit “World Economic Outlook”, ekonomia shqiptare pritet të zgjerohet me 3,4% në vitin 2025 dhe me 3,6% në vitin 2026.
Inflacioni mesatar parashikohet të arrijë në 2,3% gjatë vitit 2025 dhe 2,8% në vitin 2026.
Në nivel rajonal, rritjen më të lartë Fondi Monetar Ndërkombëtar e parashikon për Kosovën, me 3,9% në vitin 2025 dhe 4% në 2026. Maqedonia e Veriut pritet të ketë të njëjtin nivel rritjeje me Shqipërinë në 2025, ndërsa Mali i Zi parashikohet të zgjerohet me 3,2%.
Ekonomia e Bosnje dhe Hercegovinës pritet të rritet me 2.4% në 2025 dhe 2.7% në 2026, ndërsa Serbia pritet të ruajë një normë rritjeje prej 2,4%.
Në një plan më të gjerë, ekonomia globale sipas FMN-së, po përballet me një mjedis të paqëndrueshëm dhe sfida të shumta që lidhen me pasigurinë politike e tregtare, proteksionizmin dhe goditjet në tregjet financiare.
Projeksioni global i rritjes për 2025 është 3,2%, ndërsa për 2026 parashikohet 3.1%, me inflacionin në rënie, por me diferenca të ndjeshme midis vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim.
Raporti thekson se politika të qëndrueshme, të besueshme dhe të parashikueshme janë thelbësore për të rikthyer besimin, për të nxitur tregtinë dhe investimet dhe për të ruajtur stabilitetin makroekonomik.
Diplomacia tregtare, pavarësia e bankave qendrore dhe reformat strukturore mbeten prioritete për të përballuar sfidat që rrezikojnë perspektivën e rritjes./atsh