Vlerësohet lart progresi i sektorit financiar në Kosovë nga FMN-ja

Vlerësohet lart progresi i sektorit financiar në Kosovë nga FMN-ja

Ekonomia October 17, 2025 - 09:31

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) Ahmet Ismaili zhvilloi një takim të rëndësishëm me zëvendësdrejtorin menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Bo Li dhe ekipin e tij.

Në një komunikatë për media nga BQK-ja thuhet se gjatë takimit guvernatori Ismaili paraqiti zhvillimet më të fundit në ekonominë e Kosovës, duke përfshirë ecurinë e sektorit financiar, stabilitetin financiar dhe progresin në reformat strukturore.

“Ai shprehu mirënjohjen ndaj lidershipit të FMN-së për mbështetjen e vazhdueshme të FMN-së në forcimin e kapaciteteve institucionale të BQK-së si dhe në zbatimin e mandatit”.

“Nga ana e tij, z. Li vlerësoi progresin e Kosovës në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe zbatimin e suksesshëm të programeve dhe rekomandimeve të misioneve të FMN-së, duke përfshirë edhe shfrytëzimin e mjeteve nga programi i fundit. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet FMN-së dhe BQK-së për zhvillimin ekonomik dhe forcimin e sistemit financiar të vendit”, thuhet në komunikatë.

Në takim gjithashtu u diskutua lidhur me mundësitë për të adresuar rekomandimet nga përditësimi i Rishikimi i Stabilitetit të Sektorit Financiar (FSSR), me fokus te mekanizmat e stabilitetit financiar përmes rishikimit funksional të kornizës operacionale.

“Takimi rikonfirmoi përkushtimin e ndërsjellë për thellimin e partneritetit institucional ndërmjet BQK-së dhe FMN-së, në funksion të përmbushjes së objektivave zhvillimore dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike të Kosovës”.

“Delegacioni i BQK-së do të vazhdojë takimet bilaterale me përfaqësues të lartë të FMN-së dhe Bankës Botërore gjatë qëndrimit në Washington D.C.”, përfundon komunikata. /Zëri