
Rreth 15 milionë euro i kushtuan buxhetit të shtetit dy palë zgjedhje
Brenda nëntë muajve vendi ynë kaloi në dy procese zgjedhore - zgjedhjet parlamentare të 9 shkurti dhe zgjedhjet lokale të 12 tetorit, balotazhi i të cilave do të mbahet më 9 nëntor, teksa gjasat janë të mëdha që në dhjetor të këtij vit të ketë edhe zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare në rast se nuk formohet qeveria e re.
Në Institutin Demokratik të Kosovës thonë shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme dëmton buxhetin e shtetit, derisa bëjnë të ditur se vetëm për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit dhe ato lokale u shpenzuan miliona euro.
“Vetëm zgjedhjet e 9 shkurtit kushtuan rreth 9 milionë euro buxhetit të shtetit. Po ashtu zgjedhjet lokale të 12 tetorit mbi 6 milionë euro. Pra vetëm brenda këtij viti në një periudhë të shkurtër kohore janë shpenzuar rreth 15 milionë euro. Tendenca për shkuarje në zgjedhje të jashtëzakonshme dëmton buxhetin”. Rreth 9 milionë euro shtesë do t’i kushtonin buxhetit këto zgjedhje”, tha Vullnet Bukaqku nga Instituti Demokratik.
E zgjedhjet e shpeshta duket se janë bërë të mundimshme për qytetarët të cilët thonë se të njëjtat janë të dëmshme për vendin dhe rrjedhimisht po rendojnë jetesën e tyre.
“Normal që e dëmton shumë vendin. Është në dëm të qytetarëve zgjedhjet na kanë ardhur të hunda, zgjedhje-zgjedhje…”, tha një qytetar.
“Po dëmtohet shumë buxheti. S’kemi nevojë për zgjedhje tjera. duhet me i investu diku tjetër këto të holla”.
Ka edhe qytetarët të cilët ndonëse i shohin të dëmshme zgjedhjet e shpeshta, thonë se ato duhet të mbahen sa herë që vendi përballet me krizë institucionale”.
“Këto e dëmtojnë shumë ekonominë, por kur nuk shkohet tutje duhet me u mbajt”.
Mbajta e shpeshtë e zgjedhjeve brenda një viti dëmton ekonominë e vendit dhe jo vetëm, vlerëson njohësi i ekonomisë, Lulzim Beqiri. /RTV21