Barkodet ndërkombëtare, së shpejti edhe për produktet e Kosovës
Foto: Laura Hasani

Barkodet ndërkombëtare, së shpejti edhe për produktet e Kosovës

Ekonomia October 23, 2025 - 10:09

Produktet kosovare pritet shumë shpejt të pajisen me barkode ndërkombëtare, falë anëtarësimit të Kosovës në Rrjetin Global të Identifikimit të Produkteve GS1.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka zhvilluar një takim me kryetaren e Fondacionit GS1 Turqi, Elif Muftuoglu, ku është diskutuar për finalizimin e këtij procesi.

Gjatë takimit, Rafuna ka shprehur falënderim dhe mirënjohje për mbështetjen që GS1 Turqia i ka dhënë Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në këtë sistem ndërkombëtar, i cili mundëson identifikim dhe njohje globale të produkteve.

“Falë këtij bashkëpunimi, GS1 Kosova do të fillojë së shpejti lëshimin e barkodeve ndërkombëtare për produktet vendore, duke u hapur atyre rrugë për prezencë më të gjerë në tregjet evropiane dhe botërore. Ky hap pritet të rrisë vlerën, besueshmërinë dhe konkurrueshmërinë e produkteve ‘Made in Kosova’, duke përfituar si konsumatorët vendorë, ashtu edhe ata ndërkombëtarë”, thuhet në njoftim.