Murati: PDK-ja dhe LDK-ja po refuzojnë t’i krijojnë komisionet parlamentare
Foto: Laura Hasani

Murati: PDK-ja dhe LDK-ja po refuzojnë t’i krijojnë komisionet parlamentare

Ekonomia November 03, 2025 - 11:22

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka hedhur fajin te PDK-ja dhe LDK-ja në lidhje me buxhetin 2026, por edhe atë të tri komunave dhe RTK-së.

Murati ka shkruar se mund të ketë zgjidhje të përkohshme që mundëson tejkalimin e ngërçit, por që për këtë duhet vullnet politik nga ana e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.

“Krejt çfarë duhet për ekzekutim të buxhetit për RTK-në është vendimi i Komisionit Parlamentar për Buxhet. Me atë vendim, Thesari i shtetit brenda ditës e ekzekuton transferin e mjeteve, siç edhe e bën çdo herë. Mirëpo PDK dhe LDK po refuzojnë të krijojnë Komisionet Parlamentare, e rrjedhimisht po i lënë pa buxhet RTK-në, komunat e Prishtinës, Gjilanit, dhe Zubin Potokut, siç dhe po rrezikojnë miratimin e buxhetit për vitin 2026. Argumenti se komisionet parlamentare nuk mund të formohen sepse ende nuk dihet kush është pozitë dhe kush opozitë, nuk qëndron”, ka shkuar Murati në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.

Ai madje tregon si mund të formohen edhe komisionet.

“Kuvendi mund të formojë fillimisht vetëm komisionet e përhershme: për buxhet, për legjislacion, për integrim evropian, dhe për të drejtat e komuniteteve. Këto komisione do të mjaftonin që të shqyrtoheshin të gjitha çështjet emergjente si buxheti dhe plani i rritjes i BE-së. Kurse komisionet tjera, të cilat me formulë i takojnë opozitës, por edhe ato që mbikëqyrin dikastere përkatëse të ekzekutivit, mund të formohen tek kur të ketë qeveri fuqiplotë dhe të dihet kush është pozita e kush opozita. Deri atëherë, mund të ketë zgjidhje të përkohshme që mundëson tejkalimin e ngërçit. Vetëm duhet vullnet politik nga ana e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së”, përfundohet në shkrimin e Muratit.