Qeveria e SHBA-ve u hap, ari dhe Bitcoini shënojnë rritje
Çmimet e arit dhe të kriptomonedhave janë rritur pas përfundimit të “shutdown”-it më të gjatë qeveritar në historinë e Shteteve të Bashkuara, ndërsa investitorët po kthehen drejt aseteve të sigurta për shkak të pasigurisë ekonomike, politikave monetare dhe tensioneve gjeopolitike.
Mëngjesin e sotëm, ari tregtohej me 4 mijë e 228 dollarë për ons (+0,82%), shumë pranë rekordit historik prej 4 mijë e 380 dollarësh të arritur në mes të tetorit. Pas rënieve të javëve të fundit, metali i çmuar po shënon tashmë ditën e pestë radhazi me rritje.
Analistët e lidhin këtë rikthim me përfundimin e bllokimit të qeverisë amerikane dhe pritshmëritë për një rritje të borxhit publik të SHBA-ve. Kjo, së bashku me mundësinë e uljes së mëtejshme të normave të interesit, po e bën arin më tërheqës për investitorët. Në fillim të javës, vetëm brenda një dite, çmimi i arit u rrit me mbi 100 dollarë për ons, rritja më e madhe ditore që prej majit.
Sipas vlerësimeve të Goldman Sachs, ari mund të arrijë deri në rreth 4 mijë e 900 dollarë për ons deri në tremujorin e katërt të vitit 2026, i mbështetur nga politikat monetare lehtësuese të Rezervës Federale dhe blerjet e vazhdueshme nga bankat qendrore, veçanërisht në Kinë dhe Indi.
Në të njëjtën linjë, edhe Bitcoin po rikuperon terren. Në platformën eToro, kriptomonedha po tregtohet në rritje me +1,20%, në nivelin e 103 mijë dollarëve. Pas rënieve të tetorit, kur humbi mbi 4% të vlerës, kjo lëvizje shihet si një shenjë rikthimi të interesit për tregun digjital.
Sipas Eliézer Ndinga, drejtues i kërkimeve në 21Shares, rënia e fundit ka krijuar mundësi të mira për “buy the dip”, ndërsa tregu i kriptove po hyn në një fazë më të pjekur, me një rol gjithnjë e më të madh të investitorëve institucionalë dhe të fondeve ETF të miratuara në SHBA.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se nuk përjashtohet një korrigjim i ri i çmimit në nivelin 90-95 mijë dollarë, çka mund të çojë në një “dimër të shkurtër” për kriptovalutat. Nga ana tjetër, rritja e likuiditetit në SHBA, përmes uljes së mëtejshme të normave nga Fed dhe miratimi i mundshëm i “US Bitcoin Act”, pritet të japin një shtysë të re për tregun.
Aktualisht, mbi 100 fonde të reja kripto ETF janë në pritje të miratimit nga Komisioni Amerikan i Letrave me Vlerë (SEC) – një zhvillim që mund të sjellë hyrjen e kapitalit të ri institucional dhe të forcojë më tej tregun e kriptoaseteve. /abcnews