Rizvanolli: Po nis instalimi i filtrave në termocentralin “Kosova B”
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se do të fillojë instalimi i filtrave në termocentralin “Kosova B”.
Ajo thotë se tashmë janë përmbushur të gjitha kushtet teknike, por edhe ligjore, duke theksuar se po bëhet me financimin e rreth 90 milionë eurove nga Bashkimi Evropian.
“Po nis instalimi i filtrave në termocentralin ‘Kosova B’, pasi janë përmbushur të gjitha kushtet teknike e ligjore, duke përfshirë dilatimin e bojlerëve në vitin 2023. Këtë vit, KEK-u ka realizuar edhe modernizimin e turbinës në Njësinë B1. Me rreth 90 milionë euro financim nga BE-ja, filtrat do të ulin emetimet e pluhurit deri në 35 herë dhe oksideve të azotit (NOx) deri në 4 herë, duke i sjellë në përputhje me standardet e BE-së dhe duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit në Obiliq, Fushë-Kosovë, Prishtinë dhe në gjithë Kosovën. Faleminderit Bashkimit Evropian për mbështetjen afatgjatë në modernizimin e sektorit tonë të energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit, si dhe faleminderit punonjësve dhe menaxhmentit të KEK-ut për punën shumëvjeçare për ta çuar këtë projekt kompleks deri në fazën e implementimit. Ky është një hap konkret drejt furnizimit më të pastër dhe më të sigurt me energji për familjet dhe bizneset tona, dhe drejt një të ardhmeje më të shëndetshme për qytetarët e Kosovës”, shkroi Rizvanolli.