“CEFTA Week 2025”, Hajdari: Rajoni ndodhet në një moment vendimtar drejt integrimit evropian

“CEFTA Week 2025”, Hajdari: Rajoni ndodhet në një moment vendimtar drejt integrimit evropian

Ekonomia December 03, 2025 - 13:23

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në bashkëpunim me Sekretariatin e CEFTA-s, ka hapur sot aktivitetin “CEFTA Week 2025 – Tregtim i Përbashkët, Drejt Evropës”, ku ministrja e MINT-it, Rozeta Hajdari, u shpreh se integrimi më i mirë i Ballkanit Perëndimor është i domosdoshëm për rritjen ekonomike, investimet dhe krijimin e vendeve të punës.

Ajo e cilësoi planin e ri të rritjes së BE-së dhe perspektivën e qasjes graduale në tregun evropian si një mundësi historike për rajonin.

“Në emër të Kosovës, për ne është nder ta presim këtë ngjarje në një moment kur rajoni ynë gjendet në një udhëkryq të rëndësishëm përballë pasigurive globale, por i mbushur me mundësi dhe sfida. Megjithatë, më duhet të theksoj se na udhëheq ambicia e përbashkët për stabilitet, rritje dhe integrim. Kjo javë është më shumë sesa një seri takimesh. Është një hapësirë ku palët e CEFTA-s, BE-ja dhe sektori privat bashkohen për të formësuar një vizion më të qartë për të ardhmen ekonomike të rajonit dhe integrimin drejt tregut unik evropian. Diskutimet tona po zhvillohen në një kohë vendimtare”, tha ajo.

Ajo theksoi se lëvizjet gjeopolitike, sfidat në energjetikë dhe kërkesa për qëndrueshmëri po riformësojnë ekonomitë, ndërsa Kosova, si kryesuese e CEFTA-s, ka vënë theksin në heqjen e barrierave tregtare, tranzicionin digjital dhe atë të gjelbër.

“Lëvizjet gjeopolitike po riformësojnë zinxhirët globalë të furnizimit. Energjetika dhe siguria po ridefinojnë aleancat ekonomike, ndërsa kërkesa për qëndrueshmëri nuk ka qenë kurrë më e madhe. Kryesimi i Kosovës ka vënë theks të veçantë në heqjen e barrierave që ende pengojnë bizneset tona, në avancimin e tranzicionit digjital dhe atij të gjelbër, si dhe forcimin e themeleve për një zinxhir më të thellë të vlerës në rajon—me synimin për më shumë integrim në zinxhirin e vlerës evropian dhe atë global. Një rajon i integruar më mirë në Ballkanin Perëndimor nuk është i rëndësishëm vetëm për tregtinë; është thelbësor për tërheqjen e investimeve, krijimin e vendeve të punës dhe përgatitjen e ekonomive tona për sfidat dhe mundësitë e së nesërmes. Këtë vit, qëndrojmë gjithashtu përpara një hapjeje historike: plani i rritjes së BE-së dhe perspektiva e qasjes graduale në pjesë të tregut unik evropian. Kjo krijon një moment të ri përpara nesh”, ka deklaruar Hajdari. /eo