OEK-u dorëzon kallëzim penal ndaj ZRRE-së për dëmtim të bizneseve: Cenuan interesin ekonomik publik
Foto: Laura Hasani

OEK-u dorëzon kallëzim penal ndaj ZRRE-së për dëmtim të bizneseve: Cenuan interesin ekonomik publik

Ekonomia December 08, 2025 - 15:26

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka dorëzuar Kallëzim Penal në Prokurorinë Speciale ndaj kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), për, siç thotë, “dyshimin e bazuar se ata kanë kryer vepra penale”.

OEK-u i akuzon anëtarët e ZRRE-së për “mosekzekutimin e vendimit gjyqësor, keqpërdorimin e pozitës ose autoritetit zyrtar, shkeljen e detyrimit zyrtar, mashtrimin në detyrë dhe cenimin e interesit ekonomik publik”.

“Ky veprim pason kërkesën e OEK-ut drejtuar Bordit të ZRRE-së për reflektim dhe fillimin e zbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Supreme, me qëllim kthimin e bizneseve të nxjerra me dhunë në tregun e lirë me çmimet e rregulluara. Megjithatë, Bordi i ZRRE-së ka vendosur të injorojë dhe keqinterpretojë këtë aktgjykim, duke dëmtuar bizneset dhe qytetarët e Kosovës, me fatura energjetike më të lartat në historinë e Republikës”, thuhet në njoftimin e OEK-ut.

Oda Ekonomike e Kosovës thotë se “dorëzimi i kallëzimit mbështetet në aktgjykimin e formës së prerë të Gjykatës Supreme, dokumentet dhe komunikatat zyrtare të ZRRE-së, si dhe materialet që dëshmojnë dëmin ekonomik të shkaktuar”.

“OEK-u mbetet i vendosur në misionin e tij për të mbrojtur interesat e biznesit dhe qytetarëve në Kosovë”, thuhet në reagim.