KEK-u thotë se nuk ka mungesë të prodhimit të energjisë elektrike
Korporata Energjetike e Kosovës ka bërë të ditur se nuk ka mungesë të prodhimit të energjisë elektrike dhe se është duke përmbushur obligimet operacionale dhe kontraktuale për të siguruar stabilitet me furnizim me energji elektrike.
Zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli, ka thënë se KEK-u sot është duke operuar me njësinë A4 të TC “Kosova A”, si dhe me njësitë B1 dhe B2 të TC “Kosova B”, me një kapacitet të përgjithshëm prodhues prej 14.640 MWh.
“Vlen të theksohet se Njësia A3 ka qenë në remont që nga data 31 tetor dhe, pas startimit të saj, është vlerësuar nevoja për ndërhyrje dhe sanime shtesë teknike gjatë kësaj jave. Megjithatë, sasia e energjisë së kësaj njësie është kompensuar dhe, bazuar në planin e nominuar nga KEK-u, nuk ka mungesë të prodhimit me energji elektrike Gjithashtu, ju informojmë se KEK-u është duke përmbushur në mënyrë të rregullt të gjitha obligimet e saj operacionale dhe kontraktuale, duke siguruar stabilitet në furnizim dhe funksionim të pandërprerë të sistemit energjetik”, ka thënë ai për Tëvë1.