Turistët e huaj shpenzuan në Shqipëri rreth 4.4 miliardë euro
Turistët dhe vizitorët e huaj jo vetëm po vijnë më të shumtë në numër, por edhe po konsumojnë dhe shpenzojnë më shumë gjatë qëndrimit në vendin tonë.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se për periudhën janar-shtator 2025, të huajt kanë shpenzuar 4,4 miliardë euro, ose 14,5% më shumë se vitin e kaluar.
Në 3-mujorin e tretë, turistët dhe vizitorët e tjerë të huaj shpenzuan 2,3 miliardë euro, ose 21,6% më shumë me bazë vjetore.
Për periudhën janar-shtator, shpenzimi mesatar llogaritet rreth 431 euro, nga 398 euro në të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Rritja e shpenzimeve lidhet drejtpërdrejt edhe me rritjen e numrit të vizitorëve. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në 9-mujorin e parë të vitit 2025, Shqipëria u vizitua nga 10,2 milionë shtetas të huaj, me një rritje prej 5,7% krahasuar me një vit më parë.
Në të njëjtën kohë, është rritur edhe konsumi i shqiptarëve që udhëtojnë jashtë vendit. Sipas BSH-së, shpenzimet e tyre për 9-mujorin arritën në 2,1 miliardë euro, me një rritje prej gati 20% me bazë vjetore./atsh