Pas më shumë se 30 vitesh, Kosova pritet ta ketë fabrikën municionit
Foto: Laura Hasani

Pas më shumë se 30 vitesh, Kosova pritet ta ketë fabrikën municionit

Ekonomia December 11, 2025 - 20:34

Pas më shumë se 30 vitesh, Kosova pritet ta ketë sërish fabrikën e saj të municionit. Në fund të vitit të ardhshëm, parashihen që prodhimet e kalibrave të ndryshëm ta kenë firmën e “Made in Kosova”.

Për ndërtimin e kësaj fabrike, lokacioni i destinuar do të jetë Jahoci i Gjakovës, ku është paraparë të ndërtohet edhe zona industriale e qytetit.

Përmes kësaj nisme strategjike, ushtria e Republikës do ta rrisë sigurinë e vendit e do zhvillojë edhe më shumë kapacitete mbrojtëse.

“Në fund të vitit të ardhshëm do t’i kemi plumbat e parë që do të prodhohen në Kosovë nga një fabrikë shtetërore për nevoja të ushtrisë, policisë dhe për nevojat e eksportit", kishte deklaruar ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Ish-ushtarakë në Kosovë e vlerësojnë si të rëndësishme ndërtimin e një fabrike të municionit, në një kohë kur situata e sigurisë është e brishtë në Ballkanin Perëndimor por edhe në përgjithësi në botë.

Ndërtimi i kësaj fabrike, sipas ish-komandantit të FSK-së, Kadri Kastratit, do të kontribuojë në forcimin kapaciteteve të Forcës por edhe rritjen e sigurisë së vendit.

"Situata e sigurisë në përgjithësi është jashtëzakonisht e brishtë, dhe nëse vihet deri te një konflikt i përmasave globale, atëherë do të jetë shumë i kufizuar edhe blerja e armatimeve dhe municioneve dhe në këtë aspekt ndërtimi i kësaj fabrike, nëse nuk është deklarim politik, nëse është real ajo çka është deklaruar unë e shoh jashtëzakonisht të dobishme për ne në përgjithësi”, tha Kadri Kastrati, ish-komandant i FSK-së.

Prodhimi i municionit, nga njohës të fushës, pos që shihet i rëndësishëm në aspektin e sigurisë, pritet të kontribuojë edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

"Hapja e fabrikës së municionit që nuk do të jetë vetëm për kapacitet brendshme të përmbushjes, normal për fillim, por që ma vonë do të jenë për eksport në vende të tjera, dhe kjo do të ketë edhe në aspekti profitabil edhe përfitues”, tha Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë

 Një vit më herët Qeveria e Kosovës nënshkroi marrëveshje me prodhuesin turk të industrisë për ndërtimin e fabrikës së municioneve në Kosovë, marrëveshje që do të shërbejë për prodhimin e kalibrave të ndryshëm të municioneve dhe mjeteve të tjera ushtarake, sipas standardeve të NATO-s. /rtk