Në nëntor çmimet u rritën 5.3%, duke i krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar
5.3% janë rritur disa nga çmimet këtë nëntor krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar. E qytetarët këtë po e shohin si shqetësim të madh, pasi thonë se po ua rëndon edhe xhepin e tyre.
Për një kilogram karota pagoi 0.80 centë. Të njëjtën perime ky qytetar nga Prishtina thotë se ditë më parë e kishte marrë për 0.50 centë, këtu në Tregun e Gjelbër.
Një rritje e tillë e çmimeve, sipas Ragip Tërhollit, ndikon shumë në xhepin e konsumatorëve.
“Nuk është vetëm ky artikull, po çdo artikull, çdo ditë hypin, asnjë ditë nuk i ki çmimet e njëjta. Mafia e tregtarëve e kanë rrok në dorë edhe ata luajnë me çmime se prodhime vendore nuk kemi, prodhimet e jashtme ata luajnë me çmime si të duan”, shprehet Ragip Tërholli.
Të njëjtin hall e ka edhe qytetari tjetër, Adem Krasniqi.
“Shumë po rriten se jo pak, sa një qytetar nuk mundet me i përballu këto çmime me rrogë që e ka këtu”, thotë ai.
Se ka pasur rritje çmimesh e thotë edhe raporti i fundit i publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Sipas ASK-së, gjatë muajit nëntor të këtij viti, çmimet u ngritën për 5.3% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Mirëpo në “Tregun e Gjelbër” në kryeqytet po e mohojnë një gjë të tillë.
“Unë si tregtar këtu që jam qe një kohë të gjatë, këtë vit veç ka rënie të çmimeve te pemët e perimet, e këto tjerat ushqimore po i shohim edhe vet që blejmë çdo ditë ka ngritje, por tek pemët e perimet ka rënie të çmimeve. Ka ankesa siç e thash edhe më herët, por krejt këto produkte që i shesim tash ne janë më lirë se më herët se në sezon të verës, më lirë janë tash se më herët”, thotë Beqir Avdiu – tregtar.
Nga shoqata “Konsumatori” thonë se me situatën aktuale të çmimeve, populli vetëm po varfërohet.
“Rritja e çmimeve, rritje e inflacionit e rrit buxhetin dhe nga ky buxhet i rritur me “dhunë”. Ne asgjë nuk marrim ne po varfërohemi siç është varfëruar shtresa e ashtuquajtur e varfër, tash po i kërcënohet varfërimi edhe shtresës së ashtuquajtur të mesme e cila kryesisht jeton me linja kreditore. Pra punët nuk janë aq mirë sa na thonë, por janë mirë se ne jemi të durueshëm”, është shprehur Selatin Kaçaniku për Teve1.
Por cilët janë faktorët që po ndikojnë në rritje të inflacionit?
“Për fat të keq ekonomia e Kosovës e ka një strukturë me një varshmëri shumë të lartë në import ku kemi mbi 86% raportin e importit me eksportin. Kjo është një indikator që në mas të madhe çmimet përcaktohen nga kostot e furnizimit, kosto e prodhimit të transportit, dhe gjithë këtë zinxhirin e furnizimit për shkak të tregtisë së lartë që kemi me botën. Pra në një anë është inflacioni importuar në vendin tonë, në anën tjetër janë ndryshimet sezonale të kërkesës, pritshmëria se në dhjetor ka një rritje të kërkesë për produkte sigurisht që ndikon paraprakisht që tregtarët të i rrisin çmimet jo vetëm me mbuluar kërkesën por edhe me shfrytëzuar rastin me i rrit profitet e tyre”, thekson Besnik Avdijaj – ekonomist.
Ngritje çmimesh ka pasur edhe në produktet e tjera si: transporti (18,1%); pemë (16,1%); energji elektrike (15,5%); bileta të fluturimeve (14,6%); mirëmbajtje dhe riparim i pajisjeve personale të transportit (14,1%); kafe, çaj dhe kakao (14,0%); mish (13,7%); qumësht, djathë dhe vezë (10,5%).