Qeveria vendos masa mbrojtëse, kufizohen marzhat e fitimit të naftës
Foto: Laura Hasani

Qeveria vendos masa mbrojtëse, kufizohen marzhat e fitimit të naftës

Ekonomia December 16, 2025 - 18:34

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka nënshkruar vendimin për caktimin e masave mbrojtëse për produktet e naftës të përdorshme në transport. Qëllimi i vendimit është mbrojtja e konsumatorëve dhe garantimi i konkurrencës së drejtë në tregun vendor.

Sipas vendimit, janë përcaktuar marzha tregtare maksimale:

Shitja me shumicë: deri në 2 eurocent për litër

Shitja me pakicë: deri në 12 eurocent për litër

Në një postim në Facebook, Hajdari ka shpjeguar se vendimi vjen pas mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të naftës, duke përdorur evidencat e përditshme të Doganës së Kosovës dhe raportet e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut. Ajo ka theksuar se ndryshimet e çmimeve furnizuese shpesh reflektohen menjëherë në rritje të çmimeve të shitjes, por nuk ndodh një ulje proporcional kur çmimet furnizuese bien.

Hajdari ka shtuar se vendimi hyn në fuqi një ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare dhe parashikon mbikëqyrje të shtuar inspektuese nga Inspektorati i Tregut në bashkëpunim me Doganën dhe Administratën Tatimore. Ajo ka nënvizuar se Ministria do të vazhdojë punën për të mbrojtur konsumatorët dhe për të promovuar konkurrencën e drejtë në tregun e Republikës së Kosovës.

Vendimi erdhi pas shqetësimeve të ngritura nga ndryshimet e shpejta të çmimeve të derivateve të naftës, duke synuar një treg më transparent dhe të balancuar për konsumatorët dhe bizneset.