Organizatat shqiptare të biznesit nënshkruajnë marrëveshje në Tiranë

Organizatat shqiptare të biznesit nënshkruajnë marrëveshje në Tiranë

Ekonomia December 17, 2025 - 14:25

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut – Perëndimor, Unioni i afaristëve “Vizioni–PMB” dhe Forumi i Bizneseve Ulqin nënshkruan një marrëveshje për bashkëpunim ekonomik kombëtar dhe ndërkombëtar.

Kjo marrëveshje synon rritjen e bashkëpunimit ekonomik, forcimin e shkëmbimeve tregtare ndërmjet bizneseve vendore dhe atyre ndërkombëtare, si dhe bashkimin e kapaciteteve intelektuale dhe kapitale për të përshpejtuar integrimin drejt ekonomisë së lirë të Bashkimit Evropian.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, theksoi se kjo marrëveshje përfaqëson një hap historik për organizatat ekonomike kombëtare.

"Sot po bëjmë histori duke nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi mes përfaqësuesve të pesë shteteve. Qëllimi ynë është rritja e shkëmbimeve tregtare, bashkimi i mendjes dhe kapitalit dhe ecja më e shpejtë drejt ekonomisë së lirë evropiane. AKB merr përgjegjësinë që të përfaqësojë dhe të mbrojë interesat e bizneseve dhe punëtorëve të të gjitha kompanive që vijnë nga këto shtete në Kosovë, pranë institucioneve shtetërore dhe administrative", tha ai.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, z. Nikolin Jaka, deklaroi:

Ne jemi në rrugëtimin e ekonomisë drejt Bashkimit Evropian dhe kemi nevojë për një bashkim të fortë ekonomik kombëtar për të rikuperuar hapat e humbur krahasuar me vendet e tjera. Kjo marrëveshje përfaqëson një fuqi dhe energji të re ekonomike e biznesore për Ballkanin Perëndimor.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut – Perëndimor, Nuhi Aliu, u shpreh: "Ne kemi qenë dhe do të jemi gjithmonë për bashkëpunim kombëtar mes bizneseve tona.

Ndërsa kryetari i Unionit të Bizneseve të Luginës së Preshevës, Xhelal Mehmeti, theksoi:

Kjo marrëveshje është një mbështetje e madhe për Luginën e Preshevës dhe bizneset tona. Po realizohet një ëndërr për fuqizimin ekonomik kombëtar', tha ai.

Kryetari i Forumit të Bizneseve Ulqin, Nazif Cungu, deklaroi bizneset tona nuk mund të funksionojnë pa mbështetjen e Kosovës, Shqipërisë dhe gjithë rajonit. "Jemi të kënaqur që nga ky moment jemi bashkë në këtë rrugë të përbashkët”, tha ai.

Në këtë takim morën pjesë edhe anëtarët e Bordit të Forumit Mbarëshqiptar: Nebi Hoxha, Nagip Fejzi, Mendi Qyra, Besim Beqaj, Gjokë Uldedaj, Vullnet Haka, si dhe znj. Lumnije Ajdini nga AKB-ja.