OEK: Aktgjykimi i Supremes nuk guxon të interpretohet në mënyrë selektive nga ZRRE-ja
Foto: Laura Hasani

OEK: Aktgjykimi i Supremes nuk guxon të interpretohet në mënyrë selektive nga ZRRE-ja

Ekonomia December 18, 2025 - 17:41

Oda Ekonomike e Kosovës ka reaguar lidhur me njoftimin e publikuar nga Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, për zbatimin e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, duke vlerësuar se ZRRE-ja po vazhdon me interpretime të njëanshme dhe të gabuara të këtij aktgjykimi, si dhe siç thuhet në reagim, me keqpërdorimin e nenit 37 paragrafi 3 të Ligjit për Energjinë Elektrike.

OEK-u vlerëson se vendimi i Gjykatës Supreme për liberalizimin e tregut të energjisë nuk mund dhe nuk duhet të lexohet në mënyrë selektive apo të njëanshme, “siç po ndodh aktualisht nga ana e ZRRE-së, pasi një qasje e tillë cenon frymën dhe përmbajtjen e aktgjykimit, si dhe parimet themelore të sundimit të ligjit”.

“Në arsyetimin e Aktgjykimit, veçanërisht në faqet 32 deri 38, Gjykata Supreme ka konstatuar qartë se kriteret e nxjerra mbi bazën e nenit 37 paragrafi 3 janë të paligjshme, pasi janë krijuar përtej kompetencave ligjore dhe kanë prodhuar pasoja të drejtpërdrejta ekonomike për bizneset, pa bazë të qëndrueshme ligjore”.

“Po ashtu, Gjykata Supreme ka konstatuar se neni 37 i Ligjit për Energjinë Elektrike, në mënyrën se si është interpretuar dhe operacionalizuar nga ZRRE përmes kritereve nënligjore, është kundërthënës dhe në kundërshtim me Direktivën përkatëse të Bashkimit Evropian për tregun e brendshëm të energjisë elektrike, me të cilën Kosova është zotuar të harmonizojë legjislacionin e saj”, thuhet në reagim.

OEK tha se Gjykata ka theksuar se krijimi i kritereve që prodhojnë pasoja të drejtpërdrejta juridike dhe ekonomike për konsumatorët, pa bazë të qartë dhe të parashikueshme ligjore, siç tha, bie ndesh me standardet evropiane të sigurisë juridike dhe proporcionalitetit.

“Vendimet e Gjykatës Supreme nuk janë çështje interpretimi institucional. Ato janë akte detyruese që duhet të zbatohen në tërësi dhe në frymën e tyre. Çdo lexim selektiv krijon pasiguri juridike, dëmton klimën e biznesit dhe cenon sundimin e ligjit”.

“Përpjekjet për ta paraqitur këtë vendim si thjesht “konstatues”, apo për t’u mbështetur në interpretime të brendshme administrative, sipas OEK-ut, janë të gabuara dhe cenojnë thelbin e rolit kushtetues të gjyqësorit”, thekson OEK-u.