ATK-ja mblodhi tatime prej mbi një miliard eurosh gjatë vitit 2025
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka inkasuar mbi 1 miliard euro tatime gjatë vitit 2025, duke shënuar rritje prej 58 milionë eurosh, ose 6 për qind krahasuar me vitin paraprak. Të dhënat u prezantuan në konferencën vjetore të këtij institucioni.
Drejtori i ATK-së, Mentor Hyseni, tha se kjo arritje është realizuar pavarësisht mungesës së theksuar të stafit.
“Sot gjendja është mbi 1 miliard që ATK-ja ka realizuar gjatë këtij viti. Është meritë juaja, duke pas parasysh që ATK-ja po përballet me mungesë të numrit të punëtorëve, që sillen diku rreth 30 për qind, e me një moshë mesatare që kalon 51”, deklaroi ai, duke shtuar se pavarësisht këtyre kushteve, institucioni ka arritur “të krijojë të hyra që kalon 1-miliardëshin”.
Sipas ATK-së, kontributet pensionale gjatë vitit 2025 kanë arritur në 354 milionë euro, ndërsa në total tatimet dhe kontributet kanë shkuar në 1.366 miliard euro.
Gjatë këtij viti, ATK-ja ka zhvilluar mbi 24 mijë kontrolle përmbushëse dhe mbi 7 mijë vizita në terren, nga të cilat janë identifikuar 86.3 milionë euro tatim shtesë. Po ashtu, janë shqiptuar mbi 23 mijë gjoba, me vlerë rreth 3 milionë euro.
Në kuadër të luftimit të informalitetit, ATK-ja ka identifikuar mbi 240 mijë tatimpagues aktivë dhe ka njoftuar se gjatë vitit 2025 janë fiskalizuar mbi 2 mijë biznese të reja.