Dhoma e Tregtisë alarmon: Bizneset po dëmtohen nga reduktimet e rrymës ditëve të fundit
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka shprehur shqetësim për, siç thotë, reduktimet e ashpra të energjisë që po aplikohen thuajse në të gjithë vendit dhe pasojat serioze që kjo gjendje po shkakton për bizneset në vend.
Gjatë ditëve të fundit, DHTIK-ja thotë se është njoftuar nga një numër i madh i bizneseve anëtare se po përballen me ndërprerje të shpeshta dhe të pa planifikuara të energjisë elektrike, të cilat po shkaktojnë rritje të menjëhershme të kostove operative, humbje në prodhim dhe rrezikim të vazhdueshëm të funksionimit të tyre.
“Kjo situatë është vazhdimësi e rëndimit edhe më tej të gjendjes së bizneseve nga rritja e çmimit të energjisë elektrike për 16,1% për konsumatorët e rregulluar, si dhe nga dalja e mbi 1300 bizneseve në tregun e hapur të energjisë, zhvillime këto që tashmë kanë prodhuar dëme të konsiderueshme ekonomike dhe po ndikojnë negativisht në konkurrueshmërinë e sektorit privat. Me këtë rast, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë u bën thirrje të gjithë akterëve përgjegjës të sektorit energjetik që të ndërmarrin veprime urgjente dhe konkrete për stabilizimin e furnizimit me energji elektrike, rritjen e transparencës në menaxhimin e sistemit energjetik dhe garantimin e kushteve të qëndrueshme për funksionimin e bizneseve dhe ruajtjen e vendeve të punës”, thuhet tutje.