Komuna e Junikut reagon ndaj reduktimeve të energjisë elektrike
Foto: Laura Hasani

Komuna e Junikut reagon ndaj reduktimeve të energjisë elektrike

Ekonomia December 23, 2025 - 14:18

Komuna e Junikut ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me reduktimet e shpeshta të energjisë elektrike që po aplikohen nga KEDS-i në këtë komunë, duke theksuar se këto ndërprerje po shkaktojnë vështirësi serioze për qytetarët, bizneset dhe institucionet publike.

Në reagimin e saj, Komuna vlerëson se mungesa e vazhdueshme e energjisë elektrike po ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së banorëve dhe po pengon zhvillimin ekonomik lokal.

Veçanërisht shqetësuese, sipas komunës, është koha kur po ndodhin reduktimet, përkatësisht gjatë periudhës së festave dhe pushimeve, kur bashkatdhetarë të shumtë po qëndrojnë pranë familjeve të tyre në Junik.

“Në vend që të kalojnë kohë të qetë dhe të sigurt me të afërmit, bashkatdhetarët po përballen me mungesë të energjisë elektrike, gjë që ndikon negativisht në rehatinë dhe cilësinë e jetës”, thuhet në reagim.

Komuna e Junikut thekson gjithashtu se kjo komunë renditet ndër komunat me nivelin më të lartë të parapagimit të faturave të energjisë elektrike, duke dëshmuar përkushtimin e qytetarëve për përmbushjen e obligimeve ndaj furnizuesit. Sipas komunës, aplikimi i reduktimeve në një komunë me këtë nivel kontributi financiar konsiderohet i padrejtë dhe i papranueshëm.

Në këtë drejtim, Komuna e Junikut ka adresuar disa kërkesa ndaj KEDS-it, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të reduktimeve të paarsyeshme, sigurimin e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike, veçanërisht gjatë periudhave festive, si dhe rritjen e transparencës dhe respektimin e dinjitetit të qytetarëve në menaxhimin e energjisë elektrike.