“Trepça” shënon rritje në prodhim dhe eksporte
Foto: Laura Hasani

“Trepça” shënon rritje në prodhim dhe eksporte

Ekonomia December 24, 2025 - 19:47

Ndërmarrja Trepça  shënon rritje në prodhim të plumbit dhe zinkut. Rikthimi industrial i ndërmarrjes dëshmon potencialin për të kontribuar fuqishëm në ekonominë kombëtare. Rritja e prodhimit është reflektuar drejtpërsëdrejti edhe në financa. Të hyrat nga shitja e koncentrateve kanë kaluar vlerën e 10 milionë eurove, që përfaqëson një rritje mbi 100% të të hyrave totale.Ndërmarrja Trepça shënoi rritje të jashtëzakonshme në prodhim përgjatë vitit. Flotacioni “Tuneli i Parë” dhe Miniera e Stan Tërgut, e kanë tejkaluar planin, duke rritur për 150% prodhimin e plumbit dhe zinkut. Vetëm gjatë muajit gusht janë prodhuar mbi 1 mijë e 100 tonë koncentrat dhe janë eksploatuar mbi 13 mijë e 800 tonë xehe.

Bazuar në raportin e fundvitit, performanca është rritur për mbi 70%, ndërkohë që janë eksploatuar rreth 58 mijë tonë xehe, dukshëm më shumë se një vit më parë.

“Sa i përket koncentratit të xehes e kemi tejkalimin në krahasim me vitin e kaluar kemi 58.000t këtë vit kemi të eksploatuar. Sa i përket të hyrave nga shitja nëse i krahasojmë me periudhën e njejtë të vitit janar- nëntor i bjen që në vitin 2024 kemi pasur një performancë më të dobët shumë për arsye se i kemi pas sa I përket te koncentratet afër 5 milion euro”, thekson Faton Ahmeti, kryeshef në Trepçë.

Rritja e prodhimit është reflektuar drejtpërsëdrejti edhe në financa. Përgjatë periudhës janar-nëntor të këtij viti, të hyrat nga shitja e koncentrateve kanë kaluar vlerën e 10 milionë eurove, krahasuar me rreth 5 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit 2024. Kjo përfaqëson një rritje mbi 100% të të hyrave totale.

“Nëse e krahasojmë këtë vit periudhën janar – nëntor kemi një performancë të jashtëzakonshme sa i përket të hyrave mbi 10 milion euro në vlerën e koncentrateve e që i bjen që e kemi një rritje të mbi 80% të të hyrave në total dhe në të hyrat e tjera që i kemi”, tha Ahmeti.

Suksesi i Trepçës po reflektohet edhe në rritjen e eksporteve. Vetëm gjatë dhjetorit 2025, nga njësia minerare Kopaonik–Leposaviq janë eksportuar mbi 214 tonë koncentrat plumbi. Këto rezultate e vendosin Trepçën në një fazë të re të konsolidimit industrial, duke dëshmuar se ndërmarrja, me menaxhim efikas dhe angazhim të punëtorëve, po rikthehet si një shtyllë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik të vendit.