Kosova, investitorja kryesore në Shqipëri për vitin 2025
Sipas të dhënave të publikuara nga Gazeta Monitor në Shqipëri, Kosova është renditur investitori më i madh në Shqipëri për vitin 2025.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vetëm gjatë tremujorit të tretë, investimet nga Kosova arritën shifrën rekord prej 90 milionë euro, katër herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Për gjithë 9-mujorin e vitit 2025, investimet direkte nga Kosova arritën në 153 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 139% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Blerje strategjike nga kompanitë kosovare
Rritja e investimeve nga Kosova lidhet kryesisht me disa blerje të rëndësishme në tregun shqiptar.
Në muajin korrik, kompania kosovare Viva Fresh përfundoi blerjen e zinxhirit të dytë më të madh të shitjeve me pakicë në Shqipëri, SPAR Albania, në një transaksion me vlerë 36.4 milionë euro. Viva Fresh zotëron rrjetin më të madh të marketeve në Kosovë dhe është në pronësi të biznesmenit Xhevdet Rexhepi.
Në fillim të shtatorit, kompania me kapital kosovar ALBI Holding finalizoi blerjen e Fashion Group Albania (FGA) nga grupi BALFIN, për rreth 7.6 milionë euro.
Në tremujorin e fundit të vitit, kompania KAN sh.p.k. bleu Global Fast Food Albania, që zotëronte të drejtat e markës KFC për Shqipërinë, duke zgjeruar kontrollin e saj mbi këtë markë edhe në tregun shqiptar.
Stoku i investimeve nga Kosova në 550 milionë euro
Në fund të 9-mujorit 2025, stoku i investimeve kosovare në Shqipëri arriti në 550 milionë euro, në rritje me 42% krahasuar me një vit më parë.
Italia, Holanda dhe Turqia pas Kosovës
Sipas Gazetës Monitor, investitori i dytë më i madh për vitin 2025 është Italia, me 137 milionë euro investime për 9-mujorin, ndonëse me rënie prej 7.4%. Stoku i investimeve italiane ka arritur në 1.84 miliardë euro.
Holanda renditet e treta me 130 milionë euro investime, ndërsa stoku i përgjithshëm ka arritur në 2.68 miliardë euro.
Turqia mbetet një nga investitorët më të rëndësishëm, me 128 milionë euro investime për 9-mujorin 2025, por me rënie prej 37% krahasuar me vitin e kaluar. Stoku i investimeve turke ka arritur në 1.35 miliard euro.