Mes kritikash, Komuna e Prishtinës vendos t’i japë në shfrytëzim 5288 prona
Foto: Laura Hasani

Mes kritikash, Komuna e Prishtinës vendos t’i japë në shfrytëzim 5288 prona

Ekonomia December 30, 2025 - 13:53

Në mes të kritikave, Komuna e Prishtinës në seancën e jashtëzakonshme ka vendosur për dhënien në shfrytëzim të 5288 pronave publike.

Aty asamblisti i LVV-së ka kërkuar sqarime dhe për parcelën në lagjen “Marigona Hill” që është e përfshirë në këtë listë.

Asamblistja nga LDK-ja, Jeta Rafuna, ka thënë se kjo është çështje me rëndësi për menaxhimin e pronës publike dhe për zhvillimin ekonomik të kryeqytetit.

“Para nesh është vendimi për miratimin e pronave të veçanta për dhënie në shfrytëzim për vitin 2026, një çështje me rëndësi të veçantë për menaxhimin e pronës publike dhe zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të kryeqytetit. Pronat komunale janë pasuri e qytetarëve dhe si të tilla kërkojnë trajtim të përgjegjshëm, transparent dhe në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi. Lista që po shqyrtojmë sot janë rezultat i procesit profesional me qëllim që këto prona të bien në funksion të interesit publik dhe mos të mbeten të pashfrytëzuara. Dhënia në shfrytëzim i e këtyre pronave, krijon mundësi për zhvillim ekonomik, për mbështetje dhe iniciativa lokale si dhe për rritjen e të hyrave vetanake të komunës të cilat më pas kthehen në shërbime më të mira për qytetarët tanë. Miratimi i vendimit sot i hap rrugë planifikimit me kohë për vitin 2026 dhe siguron një proces të rregull, të barabartë dhe transparent për të gjithë të interesuarit”, tha ajo.

Ndërsa asamblisti i PDK-së, Leutrim Retkoceri, pret që kjo të jetë në dobi të kryeqytetit.

“Është një nga pikat kyçe të ligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës e cila kërkohet pikërisht në nenin 13-të i cili specifikon edhe vitin dhe datën 31 dhjetor duhet të bëhet publikimi i pronave të paluajtshme të Komunës së Prishtinës, Uroj që lista të përmbajë të gjitha elementet e kërkesa me ligj dhe të gjitha dhëniet e pronave të jenë në zhvillim ekonomik të komunës dhe të bazuara mirë në interesin publik. Arsyeshmërinë tjetër besoj që të dhënat që i kërkon ligji, po besoj që Drejtoria e Pronës i ka të përmbajtura dhe shpresoj të jetë në dobi të kryeqytetit”, tha ai.

Asamblisti i LVV-së, Gëzim Sveçla, ka thënë se nëse nuk miratohet kjo listë, i bie që komuna e Prishtinës vitin e ardhshëm nuk mund ta jep asnjë pronë në shfrytëzim, duke e quajtur jo në rregull faktin se kërkohet vota për të mbështetur një listë me mbi 5 mijë e 288 prona e që nuk ka dokumentacion të plotësuar.

Ai shton këtu se asamblistët nuk janë makineri votash që të votojnë prona që nuk e dinë kush i zotëron, e as kush i shfrytëzon.

“Kjo mund të shërbejë për shumë veprime të tjera të jashtëligjshme. Mund të ketë qytetarë që kanë ndërtu dhe është një lloj shantazhi kundër tyre. unë kërkoj që dokumentacioni të plotësohet sot dhe lista të miratohet”, ka thënë ai. “Në këtë listë janë 17 parcela në të cilat është ndërtu një lagje luksoze, lagjja ‘Marigona’, sponsorëve të Ramës. Kjo është tentativë që të legjitimohet keqpërdorimi i pronës publike”, ka thënë ai.

Ai kërkoi edhe disa sqarime.

“17 parcela të cilat janë pjesë e listës që na e keni sjellë në Kuvend Komunal, në këto parcela është e ndërtuar një lagje luksoze ‘Marigona Hill’. Qytetarët kanë ble prona dhe shtëpi. A na tregoni pse këto parcela janë pjesë e kësaj liste. A na tregoni se si ka mundësi që është ndërtu në ato parcela nëse këto janë të gatshme për dhënie në shfrytëzim. E kam parasysh që është listë e gjerë por me ditë cila prej këtyre është e gatshme me u dhënë shfrytëzim ose këmbim. Cila është e uzurpuar, cila është dhënë me një kontratë qoftë me komunën apo çfarëdo kontrate tjetër. Për katër vjet komuna nuk e ka formuar komisionin për vlerësimin e pronave të cilat pastaj do të ipen për këmbim apo shfrytëzim. Duke ditë praktikat e deritanishme e kemi të pamundur ta votojmë një listë të tillë nëse e njëjta nuk korrigjohet dhe nuk marrim përgjigjet që parashtruam”, u shpreh Sveçla. /EO