Luksemburgu ndan mbi 1 milion euro për ide inovative në Kosovë

Luksemburgu ndan mbi 1 milion euro për ide inovative në Kosovë

Ekonomia December 31, 2025 - 13:08

LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor, vazhdon mbështetjen për bizneset inovative në Kosovë, duke u ofruar kompanive fituese prej 100 mijë deri në 350 mijë euro bashkëfinancim për zgjidhje inovative digjitale dhe të gjelbra.

Pas suksesit të edicionit të parë, LuxDev, ka lansuar edicionin e dytë të LuxAid Demostration Fund (LDF) për mbështetje të zgjedhjeve inovative të bizneseve në Kosovë. Përmes thirrjes së re, LuxAid Demonstration Fund synon të bashkëfinancojë projekte biznesore inovative në dy fusha: inovacionin digjital dhe inovacionin e gjelbër.

Përmes LuxAid Demonstration Fund, mbi 1 milion euro do të vihen në dispozicion dhe bizneset e përzgjedhura do të përfitojnë bashkëfinancim deri në 350,000 euro për projektet e tyre, me qëllim zgjerimin e aktivitetit, rritjen e konkurrueshmërisë dhe krijimin e ndikimit të qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror në Kosovë.

Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është 6 shkurt 2026.

Thirrja do të mbështesë kompanitë, projektet ekzistuese të të cilave fokusohen në fusha si: inteligjenca artificiale, analiza e të dhënave, automatizimi, fintech, e-commerce, siguria kibernetike, ofrimi i shërbimeve ICT të gatshme për eksport, zgjidhje inovative që ndërlidhin tranzicionin digjital dhe tranzicionin e gjelbër me punësimin si dhe zgjidhje HealthTech dhe e-shëndetësisë, me fokus të veçantë në kujdesin kardiovaskular.

Po ashtu, do të mbështeten zgjidhje inovative që tashmë funksionojnë dhe kanë treg, të cilat synojnë kursimin e energjisë dhe kalimin drejt energjisë së pastër, zbatimin e modeleve të ekonomisë qarkore dhe shfrytëzimin e mbetjeve, si dhe ofrimin e zgjidhjeve për përballjen me ndryshimet klimatike, veçanërisht në reduktimin e emetimeve të CO2 dhe në menaxhimin efikas të burimeve të tjera natyrore.

Nga kjo mbështetje mund të përfitojnë kompanitë që janë të regjistruara në Kosovë para 1 nëntorit 2022, punësojnë të paktën pesë persona, kanë qarkullim nën 50 milionë euro dhe ofrojnë një produkt ose shërbim inovativ të testuar në treg, me të ardhura të dëshmuara për së paku një vit nga zgjidhja inovative.

Projektet duhet të kenë kohëzgjatje një deri në dy vite dhe aplikantët duhet të jenë në gjendje të bashkëfinancojnë të paktën 50% të shpenzimeve totale.

Nga të gjitha aplikimet, dhjetë kandidatë që do të përzgjidhen në listën e ngushtë do të përfitojnë mentorim për realizimin e propozimit dhe përgatitjen e prezantimit përpara komisionit përzgjedhës. Prezantimet para komisionit përzgjedhës pritet të mbahen në qershor të vitit 2026, ndërsa vendimi final do të shpallet në korrik 2026, me përzgjedhjen e tre deri në katër projekteve fituese.

Një webinar informues do të mbahet më 14 janar 2026, në ora 10:00, ndërsa dy sesione informuese me prani fizike do të organizohen më 21 dhe 28 janar 2026. /Zëri