Rreth 250 milionë euro të kapitalit investitor janë kaluar nga Kosova në Shqipëri
Foto: Laura Hasani

Rreth 250 milionë euro të kapitalit investitor janë kaluar nga Kosova në Shqipëri

Ekonomia January 06, 2026 - 08:10

Rritja e çmimeve, energjia elektrike dhe largimi i kapitalit investues. Këto janë disa nga sfidat kryesore që kanë karakterizuar vitin 2025 për bizneset në Kosovë.

4000 deri në 4500 bizneset u mbyllën brenda vitit, sipas Aleancës Kosovare të Bizneseve.

E sipas një studimi të tyre, shkaqet që po qojnë bizneset drejt mbylljes po janë të ndryshme.

“Sipas një studimit të AKB-së, bizneset pse mbyllen janë arsye pse e humbin fuqinë konkurruese karshi bizneseve të fuqishme, humbi treg, nuk kanë mbështetje financiare dhe ne e kemi pa që banka këtë vit edhe e kanë interesin më të lart edhe kanë vështirosu kredi. Po ashtu, bizneset ankohen që politikat fiskale nuk janë aq të mira. Po ashtu, energjia elektrike që ka dal sivjet është top problem i bizneseve që në vitet e kaluara nuk ka qenë një gjë e tillë”, Agim Shahini – Aleanca Kosovare e Bizneseve.

Se si ndikoi drejtpërdrejt shtrenjtimi i energjisë elektrike te bizneset e tregoi Kushtrim Ahmeti, nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë.

“Njëra ka pësua nga ngritja e çmimit të energjisë 16.1%, tjetra ka pësua nga liberalizimi i tregut të energjisë. E para ju kanë rrit kostot shumë të produkteve, për shkak se në të njëjtën kohë edhe nga bujqit ku e marr këtë rast qumështin edhe tek këta është rrit çmimi për shkak se edhe ata kanë dal 16.1%, plus ky e ka çmimin 16.1% prapë edhe një herë që duhet me bo prodhimin. Po të thotë te ky po rritet dyfishi. Te biznesi tjetër është biznes shumë i madh në Kosovë çka po përballet këtë periudhë që përpos që po paguan tre-katër fish faturat, ai ka pësuar edhe dëme nga reduktimi i energjisë të paparalajmëruara”, është shprehur Kushtrim Ahmeti.

E këtë faktor më së shumë po godasin bizneset e vogla dhe mikrondërmarrjet.

“Masën më të madhe i godasin bizneset e vogla dhe mikrondërmarrjet. Ato e kanë shumë të vështirë me manovru dhe navigu një situatë të tillë dhe kryesisht këto ndërmarrje janë ndërmarrje të vogla, ndërmarrjet familjare, janë ato marketet e lagjes që nuk munden me u furnizu për shkak të çmimeve të larta të furnitorëve dhe nuk dalin konkurrent. Janë kafet, pjesa e gastronomisë, pjesa e tregtisë. Ku ma llogari ki me mbajt dyqanin hapur vetë se sa me pagu një punëtor”, thotë Besnik Avdiu.

Si një trend shqetësues Avdiu po e sheh edhe largimin e kapitalin investues nga vendi në drejtim të vendeve të ndryshme të Ballkanit.

“Është për tu shqetësu se kemi një trend të largimit të kapitalit nga vendi jonë. Vetëm në tetor nëse nuk gaboj kemi pasur rreth 250 milion euro vlerë të kapitalit që investitorët nga Kosova e kanë zhvendos në Shqipëri. Nuk e di a ka të dhëna tjera krediblile për zhvendosjen e kapitalit nëpër vende si Mali i Zi, Maqedoni, vetëm për rajon, pastaj edhe për vende si Gjermania. Kjo është një indikator që edhe investitorët e mëdhenj dhe ndërmarrjet e fuqishëm në vendin tonë po përballen me sfida që të mendojnë një qëndrueshmëri më të madhe të biznesit dhe afarizmit tyre”, shprehet Avdiu.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahi thotë se ndikim negativ te bizneset pati edhe page minimale, të cilën sipas tij qeveria e Kosovës morri vendim pa u konsultuar me biznese.

E kjo më pas ndikoi që disa biznese t’i shtynte në informalitet, e disa të mbyllen krejt. /Teve1