Verdhokja, dele autoktone e Kosovës me traditë dhe prodhimtari të lartë
Delja Verdhokë është mbarështuar nga pesë breza me radhë në familjen e Abedin Binakajt nga Drenoci i Deçanit, dhe siç thotë Binakaj, kjo dele ka prodhim të lartë të qumështit dhe është ushqyer në kullosa gjatë tërë vitit, gjë që sipas tij, ka ndikuar në qëndrueshmërinë dhe shëndetin e saj.
Ai thotë se përparësi tjetër e këtij soji është rezistenca e lartë ndaj sëmundjeve, si dhe pjellshmëria që kohëve të fundit ka shënuar rritje deri në 50% e deleve lindin binjak.
Binakaj thotë se përparësi për mbarështimin e këtij soji të deles autoktone është edhe qëndrueshmëria e lartë që ka ndaj sëmundjeve.
“Arsyeja madhore e mbarështimit të saj mbetet prodhimtaria e lartë e qumështit. Një litër qumësht shkon deri në 2.5 euro, derisa kilogramin e djathit kjo familje e shet 10 euro”, thotë Binakaj.
Tutje ai thotë se sa i përket pjellshmërisë, më parë ishte e ulët, ndërsa në ditët e sotme edhe në këtë aspekt ky soj i deles autoktone ka shënuar rritje.
“Sot, deri në 50 për qind e tyre lindin binjak. Ushqimi më i mirë ka ndikuar edhe në fizionominë e saj, Verdhokja e sotme është më e madhe se ato që mbarështoheshin më parë”, thotë ai.
Sipas tij, Verdhoka, njëjtë si delja bardhokë, ka sasi të lartë, por cilësi të ulët të leshit, dhe se, shitja e këtij produkti tash e një kohë në vendin tonë është e pamundur, pasi nuk ka kërkesë për të.
Më parë, kjo familje delet i kishte mbarështuar gjysmë viti në bjeshkë dhe gjysmën tjetër poshtë në fshat. Sot Binakaj thotë se në bjeshkë i dërgon vetëm 4 muaj të vitit.
Ai thotë se më parë në bjeshkën e Pllaqicës së Vokshit ishin 42 tubë dele, derisa sot është vetëm një tufë e vogël. Madje, ai tregon se në mungesë të fuqisë punëtore, pas tij nuk do të ketë kush ta trashëgojë këtë veprimtari.
Sa i përket subvencioneve, thotë se nuk janë të këqija, por fakti që kjo veprimtari është në zhdukje e bën që të mos jetë i kënaqur as me to.
Muhamet Nikqi, kinolog dhe mjek veteriner, shpjegon se emri i njohur në popull si Zhuja apo Zhuta për këtë dele ka mbetur që nga viti 1930, në Jugosllavinë e parë. Asokohe, sipas tij, kjo racë u shpall autoktone e rrafshit të Dukagjinit, që ky territor njihej si pjesë e Zetës.
“Delja kokëverdhe, apo Verdhoka, e cila tradicionalisht në rrethin baritor në Malësi, Rugovë, është quajtur Zhuja, ndërsa në rrafsh Zhuta, është dele, soj i racës Pramenka, si varianti i deles kokëbardhë te Dukagjini, Bardhokës. Më përmasa trupore, Verdhoka është pak më e vogël sesa Bardhoka, ku ndryshimi kryesor qëndron te ngjyra e kokës: Verdhoka ka ngjyrë të qelët kafeje, ndërsa Bardhoka ka ngjyrë të bardhë të pastër”, thotë Nikqi për emisionin “Toka” në RTK.
Nikqi gjithashtu thotë se kjo dele shquhet për prodhim të qumështit, madje mund ta tejkalojë edhe delen Bardhokë.
“Sa i përket pjellshmërisë, kohëve të fundit, me shtimin e ushqimit cilësor, ka përmirësuar nivelin. Rendimenti i mishit është afër 50 për qind te delet, derisa qengjat meshkuj arrijnë deri 30 kg në moshën 3-4 mujore”, thotë Nikqi.
Sipas tij, Verdhoka është dele me bisht të shkurtër dhe lesh të ashpër, të njëjtë si delja Bardhokë.
Ai thotë se Delja kokëverdhe është tipike qumështore.
“Me ushqim cilësor dhe seleksionim të planifikuar të mbarështimit, dhe e mbrojtur me ligj, kjo dele do t’ju bëjë konkurrencë për qumësht edhe deleve tjera në kontinent. Krahas interesit ekonomik, mbrojtja me ligj e saj do të ndikonte që vlerat empirike dhe etnokulturologjike të faktohen ligjërisht si pasuri autoktone të vendit tonë”, thotë Nikqi. /rtk