Rriten rastet e mashtrimeve përmes SMS-ve, bankat aktivizojnë kanale emergjente raportimi 24/7
Shoqata e Bankave të Kosovës ka konfirmuar një rritje të rasteve të mashtrimeve përmes SMS-ve, duke theksuar se ky fenomen është shënuar veçanërisht gjatë muajit dhjetor 2025 dhe janarit 2026.
“Gjatë muajit dhjetor 2025 dhe muajit janar 2026, është vërejtur një ngritje e numrit të mashtrimeve me SMS globalisht, dhe ky fenomen ka përfshirë edhe Kosovën. Për këtë arsye bankat në vazhdimësi bëjnë thirrje publike për më shumë kujdes ndaj këtyre mashtrimeve”, thuhet në përgjigjen e Shoqatës së Bankave të Kosovës për Telegrafin.
Sipas Shoqatës, parandalimi i mashtrimeve mbështetet kryesisht në ndërgjegjësimin e klientëve dhe reagimin e shpejtë institucional.
“Duhet theksuar se masa preventive më e rëndësishme për të parandaluar mashtrimin është ndërgjegjësimi i klientëve mbi identifikimin e mesazheve mashtruese dhe praktikat e sigurta të komunikimit duke mos shpalosur të dhënat personale të cilat në asnjë rast nuk kërkohen nga bankat”, theksohet më tej.
Bankat, sipas Shoqatës, kanë krijuar mekanizma të posaçëm për raportim dhe reagim të menjëhershëm.
“Bankat kanë vendosur kanale të dedikuara raportimi 24/7 dhe procedura të brendshme që mundësojnë reagim të shpejtë sapo një rast dyshohet ose raportohet, për të parandaluar dëm të mëtutjeshëm”, thuhet më tej në përgjigjen e SHBK-së.
Në këtë kontekst, Shoqata e Bankave të Kosovës dhe bankat individuale zhvillojnë vazhdimisht fushata për sigurinë kibernetike, me fokus të veçantë mbrojtjen nga mashtrimet me SMS.
“Shoqata e Bankave të Kosovës dhe bankat individualisht zhvillojnë në mënyrë të vazhdueshme fushata ndërgjegjësuese për sigurinë kibernetike, me fokus të veçantë mbrojtjen e klientëve nga mashtrimet digjitale duke përfshirë edhe mashtrimet me SMS”, është bërë e ditur nga Shoqata.
Njëkohësisht, qytetarët paralajmërohen se bankat nuk kërkojnë kurrë të dhëna konfidenciale si fjalëkalime, PIN, kode verifikimi apo të dhëna të kartelave përmes kanaleve digjitale përfshirë: mesazhe, e-maile apo rrjete sociale.
Shoqata u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos ndajnë të dhënat e kartelës, të mos klikojnë në linçe të dyshimta, të përdorin vetëm platformat zyrtare të bankave dhe të raportojnë menjëherë çdo komunikim të dyshimtë te banka e tyre.
Sa i përket reagimit ndaj rasteve konkrete, Shoqata e Bankave konfirmon se të gjitha bankat ofrojnë mekanizma emergjentë dhe se rikuperimi i mjeteve të humbura mbetet i kufizuar dhe varet nga rrethanat e autorizimit të transaksionit.
“Të gjitha bankat anëtare ofrojnë kanale të dedikuara kontakti 24/7 që ofrojnë edhe mekanizma për bllokim të menjëhershëm të llogarive me qëllim të parandalimit të dëmit të mëtutjeshëm. Në rastet kur një klient bie viktimë e një sulmi phishing, rimburismi varet drejtpërdrejt nga fakti nëse transaksioni është autorizuar ose jo nga vetë klienti”, sqaron Shoqata.
Sipas SHBK-së, nëse klienti ka shpalosur të dhënat e tij personale, ka dhënë autorizimet e kërkuara për realizimin e pagesës apo transferit, transaksioni konsiderohet si i autorizuar, dhe në këtë rast rikuperimi mbetet i vështirë ose i pamundur.
Shoqata e Bankave të Kosovës thekson se bashkëpunimi me institucionet relevante për bllokimin e fushatave keqdashëse, së bashku me vigjilencën dhe informimin e vazhdueshëm të qytetarëve, mbeten kyçe për rritjen e sigurisë në botën digjitale.
Ndryshe, ditë më parë edhe Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët lidhur me një fushatë mashtruese që po qarkullon aktualisht përmes mesazheve SMS, e cila synon vjedhjen e të dhënave financiare.
Sipas BQK-së, mesazhet mashtruese paraqiten në mënyrë të rreme si njoftime nga banka komerciale dhe përmbajnë kërkesa urgjente për veprim, si dhe lidhje të dyshimta që mund të çojnë në keqpërdorim të të dhënave bankare.
BQK u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos bien pre e këtyre mashtrimeve. Institucioni këshillon që të dhënat e kartelave bankare të ruhen me kujdes dhe të mos ndahen asnjëherë përmes e-mailit, SMS-it apo telefonit me persona të paautorizuar.