DHTIK alarmon për krizën e energjisë: Bizneset po paguajnë më shumë, furnizimi po bëhet gjithnjë e më i pasigurt
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me situatën e rënduar të furnizimit me energji elektrike në vend, duke theksuar se kjo gjendje po u shkakton humbje serioze qindra bizneseve kosovare.
Sipas DHTIK-së, pavarësisht rritjes së çmimit të energjisë elektrike për 16.1 për qind dhe daljes së detyruar në tregun e hapur të energjisë të rreth 1,300 bizneseve, situata e furnizimit është përkeqësuar ndjeshëm. Bizneset, ndonëse po paguajnë shumëfish për energjinë elektrike, po përballen me furnizim të pasigurt dhe të paqëndrueshëm.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë thekson se ndërprerjet e shpeshta dhe të paplanifikuara të energjisë kanë shkaktuar pasoja të rënda, përfshirë pamundësinë e funksionimit normal të bizneseve, rritjen e kostove të prodhimit, humbjen e orëve të punës, si dhe dëme të konsiderueshme në pajisjet teknologjike dhe linjat e prodhimit.
“Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të DHTIK-së, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret nga institucionet përgjegjëse për të përmirësuar sigurinë e furnizimit me energji për bizneset”, thuhet në reagimin e kësaj dhome.
DHTIK u bën thirrje urgjente të gjithë akterëve të sektorit energjetik që të ndërmarrin masa emergjente për të garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe të pandërprerë me energji elektrike për bizneset, si dhe të fillojnë procedurat për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga ndërprerjet.
Po ashtu, nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës kërkohet veprim i menjëhershëm për të dalë nga kjo situatë, e cila, sipas DHTIK-së, rrezikon seriozisht stabilitetin ekonomik dhe konkurrueshmërinë e bizneseve në vend./Zëri