Azemi: Vendimi për pagën minimale të respektohet, përndryshe ndërmarrim masa
Foto: Laura Hasani

Azemi: Vendimi për pagën minimale të respektohet, përndryshe ndërmarrim masa

Ekonomia January 19, 2026 - 08:35

Që nga janari i këtij viti çështja e pagës minimale në Kosovë hyri në një fazë të re. Kjo meqë Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që paga minimale të rritet nga 350 në 425 euro për të gjithë punëtorët me orar të plotë.

Bazuar në vendimin e Qeverisë, në korrik paga minimale do të shkojë në 500 euro.

Megjithatë, Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat paralajmëron masa në rast se ky vendim nuk zbatohet në praktikë.

“Punëtorët tonë në këto institucione janë në vende shumë të ndjeshme nëpër spitale të Kosovës ku qeveria paguan kompanitë private për shërbime dhe nëse ajo nuk e aplikon pagën minimale, ne, na jep të drejtë vet kryeministri që t’i ndalim shërbimet që i kemi. Ne jemi të përgatitur dhe i kemi paralajmëruar që dy herë që këto kalkulime institucionet përkatëse të bëjnë dhe mendoj që nuk është një shumë që degradon aq shumë, por po nisemi nga ajo që të kemi sukses nëse jo ne do t’i ndalim shërbimet tona”, thotë Jusuf Azemi nga kjo sindikatë.

Duke folur për kompanitë e kontraktuara nga qeveria për të kryer shërbime, Azemi thotë se e gjithë barra e zbatimit të pagës minimale, i takon ekzekutivit.

“Tani Qeveria e Kosovës ka marr vetë vendim dhe është e obliguar që ndryshimin prej pagës nga 350 euro në 425 euro, këtë ndryshim duhet të bëjë Qeveria e Kosovës jo kompanitë private, për këtë edhe kemi thirr kompanitë private që të bëjnë kalkulimin e ndryshimit të kësaj page dhe të ju specifikojnë të ju qesin institucioneve përkatëse që ata duhet të subvencionojnë pagën minimale prej 425 euro”, thotë ai për Tëvë1.

Por çfarë do të ndodhë me ato kontrata, të cilat janë të nënshkruara me 350 euro e tani paga minimale është rritur?

“Çdo kontratë në momentin që arrihet një marrëdhënie kontraktuale natyrisht do të duheshin që të uleshin dhe të rishikohet ajo kontratë dhe së njëjtës kontratë t’i shtohet një aneks, duke u thirr në vendimin të cilin e ka nxjerr Qeveria”, shprehet avokati Anton Nrecaj.

Ai thotë se ky vendim duhet të zbatohet nga të gjitha palët, në të kundërtën do të këtë pasojat ligjore.