Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë: Pritet që çmimi i rrymës të shtrenjtohet prej 10 deri në 20%
Foto: Laura Hasani

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë: Pritet që çmimi i rrymës të shtrenjtohet prej 10 deri në 20%

Ekonomia January 23, 2026 - 12:47

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, ka deklaruar për RTV21 se Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), para se të marrë vendim për shtrenjtimin e energjisë elektrike, duhet të analizojë me kujdes dyshimet për manipulime gjatë importit të rrymës, i cili vitet e fundit ka kapur vlerën mbi 500 milionë euro.

Mulaj theksoi se ZRRE-ja duhet të ketë parasysh edhe faktin se operatori që ofron shërbimin universal të energjisë elektrike e blen rrymën nga KEK-u me një çmim shumë të ulët.

Megjithatë, pavarësisht këtyre rrethanave, ai ngriti alarmin se, duke u bazuar në praktikat e deritanishme të ZRRE-së, çmimi i energjisë elektrike pritet të shtrenjtohet.

“Unë nuk e di çfarë vendimi do të marrë ZRRE-së, por, realisht nëse bazohemi në praktikat e viteve të kaluara pres që të ngrihet çmimi i energjisë elektrike, por bëj thirrje tek opinioni publik, partitë politike, institucionet e tjera që të bëjnë presion te ZRRE-ja dhe një herë e përgjithmonë të verifikohen dyshimet që ekzistojnë lidhur me tregtinë e rrymës, sepse ka debate që çojnë hije të zezë te ZRRE-ja. Unë pres që rryma të shtrenjtohet ndoshta 10 deri në 20%, por duhet të dihet se kjo do ta godas ekonomitë familjare pra amvisëritë, por edhe bizneset që janë të lidhura në shërbimet universale të energjisë elektrike…”, tha ai.