AKP-ja rikthen në pronësi shoqërore pronën milionëshe në Fushë-Kosovë
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka rikthyer në emër të ndërmarrjes shoqërore një pronë me vlerë të lartë ekonomike në Fushë-Kosovë, pas pranimit të aktgjykimit të Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sipas njoftimit nga AKP-ja, rikthimi i pronës është realizuar falë angazhimit ligjor të AKP-së dhe në bashkëpunim të plotë me Prokurorinë kompetente, duke rezultuar me regjistrimin e saj sërish në emër të ndërmarrjes shoqërore KBI “Kosova Eksport” në Fushë-Kosovë.
Prona ndodhet në territorin e Fushë-Kosovës dhe ka një sipërfaqe prej 02.13.79 hektarësh, duke u vlerësuar si pasuri me rëndësi të madhe ekonomike.
AKP-ja e cilëson këtë vendim gjyqësor si një sukses të rëndësishëm institucional dhe dëshmi konkrete të përkushtimit për mbrojtjen e pasurisë shoqërore, forcimin e sundimit të ligjit dhe korrigjimin e tjetërsimeve të kundërligjshme të pronave publike. /Zëri