BERZH-i shënon rekord investimesh në sektorin privat të Kosovës në vitin 2025
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka investuar një vlerë rekord prej 117.3 milionë eurosh në Kosovë gjatë vitit 2025, duke e tejkaluar nivelin e 113 milionë eurove të regjistruar një vit më parë. Investimet u realizuan përmes 28 projekteve, pjesa më e madhe e të cilave u fokusua në projektet e gjelbra dhe ato me komponent gjinor.
Kjo është bërë e ditur nga vet BERZH-i, i cili ka thënë se një pjesë e veçantë e investimeve përfshinte dy transaksione ndërkufitare, duke përfshirë transaksionin më të madh privat të BERZH-it në Kosovë: një hua prej 25 milionë eurosh për zgjerimin e Viva Fresh në Shqipëri përmes blerjes së SPAR Albania, si dhe një hua prej 13 milionë eurosh për Speeex për blerjen e tri kompanive zvicerane. Këto transaksione theksojnë përpjekjet e BERZH-it për të promovuar integrimin rajonal dhe zgjerimin ndërkombëtar të kompanive kosovare.
Shumica e investimeve u kanalizuan për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) përmes partneriteteve me bankat lokale, duke kombinuar programe të reja, si Programi GOLD për financim të projekteve të gjelbra dhe Programi për Kalim në Digjital, me iniciativa të vazhdueshme si Programi për NVM të Gjelbra, Programi për Gratë në Biznes dhe Rininë në Biznes. Këto linja kreditimi mbështetën reziliencën dhe konkurrueshmërinë e NVM-ve në mbarë vendin.
Po ashtu, BERZH-i nënshkroi katër marrëveshje huadhënie me kompani kryesuese për të mbështetur investime kapitale në sektorë strategjikë, duke përfshirë Royal Beverage, Relux, Front dhe Kema Pack.
Tutje BERZH-i, thotë se në fushën e politikave, banka vazhdoi të mbështesë institucionet qeveritare dhe regulatorët për zhvillimin e mekanizmave mbështetës për energji të ripërtërishme dhe për avancimin e planifikimit të infrastrukturës, përmes studimeve të fizibilitetit për Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Zeza të Mitrovicës dhe Programin për Përmirësim të Autobusëve të Qyteteve Rajonale.
BERZH-i mbetet investitori kryesor institucional në Kosovë, me pothuajse 900 milionë euro të investuara në 146 projekte deri në fund të vitit 2025. /Zëri