Latifi kritikon ndarjen buxhetore për komuna nga niveli qendror
Foto: Laura Hasani

Latifi kritikon ndarjen buxhetore për komuna nga niveli qendror

Ekonomia February 01, 2026 - 13:51

Bashkëqeverisja e AAK-së me PDK-në në Komunën e Rahovecit po vlerësohet që do të ketë ndikimet pozitive.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi në një intervistë për Ekonomia Online teksa foli për projektet, nënvizoi mungesën e përkrahjes nga niveli qendror, marrë shkas këtu edhe ballafaqimin e kësaj komune me vërshimet.

E sa i përket nivelit lokal, Latifi u ndal te bashkëqeverisja me PDK-në.

“Unë ju thashë që ne duhet të mësohemi, të pajtohemi me faktin që në komunën e Rahovecit për herë të parë në këtë mandat ka bashkëqeverisje. Dhe ky nuk është lajm i keq, është lajm i mirë sepse ne i kemi bashkuar, ose na janë bashkuar edhe një forcë tjetër politike në funksion të përmbushjes së programit që e kam përfaqësuar unë gjatë fushatës parazgjedhore. Në atë program ka shumë zhvillime pozitive që parashihen të ndodhin: Avancim i mëtejmë i shërbimeve komunale,  Avancim i të gjithë administratës komunale, Shërbime gjithnjë më cilësore, më të shpejta, më të mira përmes shërbimit civil dhe Zhvillime shumë pozitive nga pikëpamja e investimeve publike (projekte kapitale të ndryshme) të cilat padyshim që ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe mirëqenies së qytetarëve. Në programin qeverisës 2025-2029 ka zotime, ka qëllime, ka synime dhe prioritete. Të gjitha këto janë më lehtë të zbatueshme kur kemi bashkëqeverisjen si vlerë të shtuar në përmbushjen e projektit tonëqeverisës”, tha ai.

Latifi ka shprehur pakënaqësi rreth mënyrës se si niveli qendror bënë shpërndarjen e buxhetit.

“Asnjëherë ne nuk mund ta themi me plot gojë që jemi të kënaqur me mënyrën se si shpërndahet buxheti nëpër komunat e Kosovës, rrjedhimisht edhe në komunën e Rahovecit. Pra, nuk jemi të kënaqur me mjedisin që niveli qendror e ka me komunat e Kosovës. Gjithnjë kërkohet:Një mjedis më miqësor, një marrëdhënie më e qartë dhe funksionale, një mbështetje më e madhe dhe më konkrete nga ana e nivelit qendror.

Ne vazhdimisht insistojmë të marrim sa më shumë përkrahje financiare për projekte dhe investime, si për ato që janë të komunës, ashtu edhe për ato që janë kompetencë e nivelit qendror. Kemi nevojë për mbështetje në projekte të mëdha siç është: Sheshi qendror (për të cilin s’kemi marrë përkrahje), Rrugët rajonale që nuk janë në gjendje të mirë (Guri i Bardhë – Krushë e Madhe, Prizren – Gjakovë), Rruga rajonale Rahovec – Malishevë, Rruga rajonale Rahovec – Brestoc – Hoçë e Vogël – Nagavc – Krushëe Madhe”

Ai theksoi gjithashtu nevojën për sqarim dhe veprim konkret lidhur me trajtimin e shtratit të lumit Drini i Bardhë.

“Gjithsesi kemi nevojë me u sqaru se kur do të nisë dhe kur do të hidhet hapi i parë konkret në rregullimin ose trajtimin e shtratit të lumit Drini i Bardhë që është projekt tërësisht në nivelit qendror.Në vazhdimësi ne kërkojmë, madje vazhdimisht me insistim kërkojmë që Drini i Bardhë, i cili është plotësisht në kompetencat e nivelit qendror, por që si të trajtohet Drini i Bardhë përmes një projekti zbatues, përmes një projekti që besoj që e kemi edhe ne si komunë s’paku për pjesën ku Drini i Bardhë për 30 e sa kilometra prej mbrojtjes atje deri në kufi administrativ me Prizrenin, ne atëherë Drini i Bardhë po qe se realizohet ky projekt, e këtë projekt mund ta realizojë qeveria vetë apo me ndihmën e donatorëve të tjerë, atëherë Drini i Bardhë mund të kthehet në burim jete, burim zhvillimi, burim zhvillimi ekonomik, burim i turizmit, i atraksionit e jo siç e kemi tash në këtë gjendje ku në vend që t’i ketë këto tipare, këtë imazh dhe këtë rol, këtë funksion”

Latifi paralajmëroi se Drini i Bardhë po shndërrohet në burim fatkeqësish për qytetarët e Rahovecit.

“Drini i Bardhë po bëhet burim i fatkeqësisë. Edhe i fatkeqësive po ndihmon në rritjen e përmasave që kanë herë janë bërë shqetësuese kur ka fatkeqësi elementare natyrore siç janë rreshjet siç i patëm tash. Po rritet niveli i ujit në Drin të Bardhë, edhe kur rritet niveli i ujit në Drin të Bardhë, do të thotë po përmbyt vazhdimisht toka bujqësore, po dëmton pasurinë edhe mirëqenien e qytetarëve tanë, po dëmton bizneset, po dëmton asete të kulturës bujqësore siç na ka dëmtuar edhe tash. Pastaj ne kemi nevojë po ashtu që të ndihmohet komuna e Rahovecit edhe në përmbylljen e të gjitha aktiviteteve që ndodhin në trajtimin e shtretërve, të përrenjve dhe lumenjve problematikë. Kemi investuar shumë tërësisht si komunë me buxhet të komunës dhe nuk kemi marrë përkrahje nga niveli qendror, apo në kullimin dhe drenazhimin e tokave bujqësore që kemi investuar tërësisht si komunë me buxhet të komunës, pra pa marrë mbështetje nga niveli qendror”, theksoi ai.

E të nevojshme ai e tha se kanl edhe ndërtimin impiantit të ujërave të zeza. “Ne kemi nevojë të marrim mbështetje nga qeveria, bie fjala edhe për impiantin e madh të ujërave të zeza që imungon komunës së Rahovecit, impianti i cili kushton shumë, është shumë i kushtueshëm edhe që nuk është as në kapacitetet, pra në mundësitë buxhetore të komunës, por gjithsesi niveli qendror duhet të hyjë më intensivisht, më seriozisht në mbështetje të projekteve të cilat i pastrojnë ujërat e zeza. Pra ne kemi kanalizime të ujërave të zeza gjithkund, por derdhjen e ujërave të zeza kemi shumë problematikë”, nënvizoi Latifi.

E ndonëse kompetencë e nivelit qendror, megjithatë, Latifi thotë se në disa projekte kanë ndërhyrë vetë.

“Ne kemi ndërhyrë bie fjala me gropa septike, qoftë me kontratë që komuna ka me operator ekonomik, qoftë me një projekt që kemi fituar në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar me Maqedoninë e Veriut si komunë me komunën e Haraçinës për gjashtë gropa septike, qoftë një aplikim që e kemi bërë tash në kuadër të projektit të bashkëpunimit ndërkufitar me Republikën e Shqipërisë me Bashkinë e Hasit dhe po ashtu edhe me Lezhën për gropa septike të standardeve të larta të cilat deri në 70% i trajtojnë ujërat e zeza, që do të thotë 70% i pastrojnë e 30% akoma mbeten të ndotura. Por kjo është zgjidhje e një, zgjidhja afatgjatë kishte me qenë bie fjala ndërtimi i impiantit të ujërave të zeza, impiantit të madh të ujërave të zeza që do të duhej ta merrte niveli qendror, si qeveria e Republikës së Kosovës qoftë vetë, qoftë me donatorë. Këto dy projekte që i përmenda i kemi fituar edhe me Bashkimin Evropian me fondet e IPA-s, mirëpo këto janë projekte të cilat bëhet fjalë për gjashtë gropa septike, edhe gjashtë ndoshta presim t’i përfitojmë nga bashkëpunimi ndërkufitar, fondet e IPA-s me Republikën e Shqipërisë, edhe do të vazhdojmë ne vetë se kemi edhe program qeverisës, po impianti i madh i ujërave të zeza që i duhet Rahovecit me sistem prioritet për shkak se është Drini i Bardhë dhe ne nuk dëshirojmë me parë as ne e as të tjerët që vijnë me vizitu këtë komunë dhe që shkojnë e vizitojnë brigjet e Drinit të Bardhë me parë gjithë ato mbeturina, ndoshta dhe gjithë atë ndotje që vjen prej komunave të tjera”, shtoi ai.