KRU “Prishtina” paralajmëron masa ndëshkuese ndaj konsumatorëve me borxhe
Foto: Laura Hasani

KRU “Prishtina” paralajmëron masa ndëshkuese ndaj konsumatorëve me borxhe

Ekonomia February 04, 2026 - 11:22

Kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar konsumatorët që kanë detyrime të papaguara për shërbimet e ujit dhe kanalizimit që t’i kryejnë pagesat brenda afatit të përcaktuar, për të shmangur masat ndëshkuese.

Sipas njoftimit të publikuar në Facebook, duke u bazuar në të dhënat e faturimit, një numër konsumatorësh rezultojnë me borxhe të papaguara për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit. KRU “Prishtina” ka bërë të ditur se afati i fundit për realizimin e pagesave është fundi i muajit shkurt 2026.

Pagesat mund të realizohen në sportelet e kompanisë rajonale të ujësjellësit “Prishtina” SHA, përmes bankave komerciale, institucioneve mikrofinanciare dhe Postës së Kosovës, si dhe online përmes platformës elektronike.

Kompania ka paralajmëruar se mosrealizimi i pagesës brenda afatit të caktuar mund të rezultojë me ndërprerjen e shërbimit të furnizimit me ujë dhe dërgimin e lëndëve për trajtim te përmbaruesit privat.

Nga KRU “Prishtina” theksohet se pagesa e rregullt e shërbimeve ndihmon në sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me ujë të pastër dhe në ofrimin e shërbimeve cilësore për të gjithë qytetarët.