Vazhdojnë problemet në termocentrale, pas rikthimit të njësisë A5 shkyçet nga operimi njësia B1
Foto: Laura Hasani

Vazhdojnë problemet në termocentrale, pas rikthimit të njësisë A5 shkyçet nga operimi njësia B1

Ekonomia February 08, 2026 - 18:10

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar sot se njësia B1 e Termocentralit “Kosova B” është shkyçur nga operimi, pas evidentimit të rrjedhjeve të konsiderueshme të avullit në sistemin e gypave brenda kaldajës.

Defekti është vërejtur rreth orës 10:00, ndërsa pas vlerësimeve teknike është marrë vendimi që njësia të ndalet para orës 18:00, për të shmangur dëmtime potencialisht më të mëdha.

Sipas KEK-ut, rrjedhjet kanë shkaktuar harxhime të larta të ujit dhe pamundësi për të vazhduar operimin në mënyrë të sigurt.

Ndalja e njësisë është konsideruar si masë parandaluese për ruajtjen e integritetit të pajisjeve.

“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) njofton opinionin publik se sot, gjatë ditës, në njësinë B1 të Termocentralit Kosova B janë evidentuar rrjedhje të konsiderueshme të avullit në sistemin e gypave brenda kaldajës, të paraqitura rreth orës 10:00. Pas vlerësimit teknik dhe për shkak të pamundësisë për të vazhduar operimin e sigurt, si rezultat i harxhimeve të larta të ujit dhe rrezikut për dëmtime më të mëdha teknike, është vendosur që njësia B1 të shkyçet nga operimi para orës 18:00, si masë parandaluese për ruajtjen e integritetit të njësisë”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

KEK-u ka informuar në këtë njoftim po ashtu se edhe pas ndaljes së njësisë B1, furnizimi me energji elektrike është i siguruar dhe operimi vazhdon në mënyrë stabile me 4 njësi gjeneruese, e që sipas KEK-ut mbulon 87.6% të kërkesës totale për konsum. Pjesa e mbetur është siguruar përmes importit.

Ndërkohë gjatë ditës, Korporata Energjetike e Kosovës njoftoi se pas gati një jave u kthye në operim njësia A5 e Termocentralit Kosova A.

Edhe kjo njësi ishte ndalur nga operimi për shkak të një rrjedhjeje në sistemin gypor.