Tregu kosovar nën hijen e pasigurisë ushqimore
Foto: Laura Hasani

Tregu kosovar nën hijen e pasigurisë ushqimore

Ekonomia February 28, 2026 - 10:01

Nga raftet e marketeve deri te tregjet e hapura, produktet ushqimore duken të sigurta dhe të gatshme për konsum. Megjithatë, raste të shumta të produkteve me përmbajtje të rrezikshme për shëndetin kanë arritur të depërtojnë në tregun kosovar, duke ngritur shqetësime për sigurinë ushqimore dhe nivelin e kontrollit institucional.Nga raftet e marketeve e deri te tregjet, ushqimet duken të freskëta për konsum.

Por produkte ushqimore për fëmijë dhe të rritur, të cilat kanë përmbajtur substanca të rrezikshme për shëndetin, kanë arritur të shiten në tregun kosovar. Duke filluar nga qumështi për fëmijë, produktet e mishit, biskotat e produkte të tjera.

“Kemi bërë asgjësim të mishrave të bagëtive, asgjësim të produkteve të tjera, biskotave. Kemi pasur edhe një sensibilizim nga kompania Nesslee, e cila e ka njoftuar opinionin dhe e ka tërhequr komplet mallin në Kosovë dhe shtetet e tjera”, tha Muharrem Shahini, zëdhënës në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Ndërkaq, edhe nga jashtë Kosovës është tentuar të importohen produkte të rrezikshme për shëndetin.

“Kemi ndaluar importin e 21,280 kg koncentrat për pije nga Holanda”, theksoi Shahini

Një pjesë e qytetarëve thonë se po konsumojnë më shumë produkte vendore, pasi dyshojnë në cilësinë e atyre që vijnë nga jashtë.

“Të mira nuk janë hiq, por nuk po kemi tjera”, tha një qytetar i anketuar.

Komplikimet shëndetësore nga ushqimet e pasigurta mund të jenë serioze.

“Konsumimi i produkteve të pasigurta mund të shkaktojë helmime ushqimore, të përcjella me diarre, të përziera, dobësim trupor. Pastaj mund të shkaktojë infeksione serioze, sidomos kur flasim për helmimet që vijnë nga një bakterie e rrezikshme…”, thekoi Dafina Llugaxhiu, teknike ushqimore.

Për shkak të mangësive në higjienën ushqimore dhe sanitare, vit pas viti qindra raste helmimesh regjistrohen në vend.

Të dhënat e Institutit të Shëndetësisë, dërguar RTK-së, flasin për mbi 100 raste helmimesh të regjistruara nga viti i kaluar.

Rastet e regjistruara të helmimeve ushqimore 2025-2026

GRUPMOSHAT:
10-19 vjeç – 38 raste
20-29 vjeç – 32 raste
30-39 vjeç – 34 raste
40-49 vjeç – 19 raste
50-59 vjeç – 4 raste
0-9 vjeç dhe 60-69 vjeç – 6 raste
70-79 vjeç – 2 raste (1.4%)

Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thonë se kanë gjithsej 79 inspektorë, numër i cili konsiderohet i ulët për mbikëqyrjen e tregut kosovar./rtk