Opozita me kritika për buxhetin e këtij viti: Mungojnë investimet në energji, rrezikohen rritje të reja të faturave
Projektbuxheti për vitin 2026 ka nxitur kritika nga opozita, e që vlerësohet se sektori i energjisë është lënë në plan të dytë dhe se procedurat e miratimit kanë kufizuar debatin parlamentar.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala tha se mungojnë investimet kapitale serioze dhe paralajmërimet për shtrenjtim të energjisë i cilësoi si pasojë e mungesës së rritjes së kapaciteteve prodhuese vendore. Në të njëjtën linjë, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri theksoi se mungesa e një plani të qartë dhe investimeve direkte nga qeveria rrezikon të çojë në rritje të mëtejme të faturave edhe gjatë vitit të ardhshëm.
Shala tha se kanë pasur vërejtje për përfshirjen e sektorit të energjisë për projektbuxhetin për vitin 2026, por sipas tij nuk ka pasur mundësi për shkak të ndryshimit të procedurave të miratimit.
“Po, sigurisht, ne kemi pasur vërejtjet tona edhe pse nuk ka pasur debat të mirëfilltë e veçanërisht nuk ka pasur mundësi që të shtrihet debati dhe dëgjimet publike për secilin sektor veç e veç, për shkak që mazhoranca ka ndryshuar procedurat e miratimit të buxhetit dhe ka shkuar me procedurë të shpejtë”, tha ai.
Sa i përket projektbuxhetit për vitit 2026, Shala thotë se investimet kapitale në sektorin e energjisë janë lënë anash.
“Ajo çka vërehet në këtë projektbuxhet të përkohshëm, siç thotë qeveria, është se nuk ka investime kapitale serioze në sektorin e energjisë, nuk ka ndryshim nga metodologjia dhe praktika menaxheriale e financave në këtë sektor nga e kaluara. E që nëse nuk ka ndryshim dhe nuk ka investime, nuk pritet edhe rezultate që të kemi një sektor më stabil”, u shpreh deputeti.
Shala potencoi se kanë bërë thirrje që të ndryshohet menaxhimi në sektorin e energjisë.
“Ajo çka ne kemi kërkuar është që shumë shpejt do të duhej të ndryshojë qasja dhe mënyra e menaxhimit të sektorit dhe financimit në tërësi të këtij sektori, duke i caktuar prioritetet e investimeve kapitale në gjeneratorë prodhues, qoftë ata të energjisë së pastër apo ata të thëngjillit, e që ende nuk kemi asnjë veprim konkret për mundësinë e investimeve dhe zgjerimit të kapaciteteve prodhuese sa i përket këtij buxheti që është miratuar”, theksoi Shala.
Shala thotë se për paralajmërimet për rritje të faturave të energjisë në vitin 2026 është taktikë e Qeverisë Kurti për tregtitë e tyre.
“Parimisht tashmë institucionet e qeverisë, vetë ministrja por edhe rregullatori i energjisë, kanë paralajmëruar shtrenjtimin e tarifave të energjisë. E kjo nënkupton import shtesë të importit, sepse nuk është rritur kapaciteti prodhues vendor, por në anën tjetër po rritet, si me thënë, çmimi dhe domosdoshmërisht do të rritet edhe importi. Kjo është strategji dhe politikë tashmë e njohur e qeverisë për të hapur tregje për kompani të caktuara biznesore dhe tregtare të energjisë dhe për të, si me thënë, varfëruar xhepin e konsumatorit të vendit”, shtoi Deputeti Shala.
Ndërsa ekspertja e energjisë dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri për Ekonomia Online tha se investimet në energji për vitin 2026 janë menduar të jenë me anë të ndërmarrjeve publike dhe jo të përfshihen veçmas në projektligjin për buxhetin e vitit 2026.
“Energjia elektrike, përveç subvencionimit të departamentit të energjisë dhe projektit të efiçiencës së energjisë për ndërtesa publike, nuk ka pasur kod tjetër buxhetor që është specifik për pjesën e energjisë. Normalisht, është menduar që investimet që bëhen me anë të KEK-ut shkojnë nëpërmjet ndërmarrjeve publike. Mirëpo, kjo tregon edhe një herë pse investimet e energjisë elektrike janë lënë në rëndësi sekondare. Unë kam pritur që Ministria e Ekonomisë të marrë vetë iniciativën dhe të investojë, që qeveria të ketë investim kapital në energji elektrike, por kjo nuk ka ndodhur. Domethënë, edhe investimet që po fliten janë nëpërmjet ndërmarrjeve publike, saktësisht KEK-ut”, tha ajo.
Sa i përket paralajmërimeve se do të ketë rritje të energjisë në muajt e ardhshëm, Ymeri përmendi një rritje e faturave të energjisë se mund të jetë edhe vitin e ardhshëm bazuar në importin e vazhdueshëm.
“Nëse procedohet me këtë rritje, atëherë pavarësisht kësaj, ashtu siç ka shkuar trendi i tregtisë së energjisë elektrike, por edhe investimet, ku përsëri këtë vit do të kemi ndalje të energjisë elektrike për shkak të riparimeve mendoj që do të kemi rritje të energjisë elektrike edhe vitin tjetër”, theksoi Ymeri.
Se si duhet të veprohet që të shmanget importi i lartë i energjisë, Ymeri veçoi planin e Zyrës së Rregullatorit për Energji.
“Së pari duhet të ketë plan të ZRRE-së (Zyrës së Rregullatorit për Energji) për sektorin e energjisë elektrike, i cili nuk ka ekzistuar deri më tani. Pra, e para është plani. Por, kur nuk ka interesim dhe kur sektori i energjisë nuk është prioritet, kur ka interesa të tregtarëve, nuk bëhet plani, nuk shkohet me investime dhe nuk organizohet importi. Në fund, ne e paguajmë”, nënvizoi deputetja.
Deputetja e fajësoi Qeverinë Kurti për ndodhitë me energjinë.
“Qeveria. Është Albin Kurti. Unë edhe më herët kam thënë që është “pan-mafia energjetike” dhe asgjë që ai ka bërë ose nuk ka bërë deri tash nuk ma ka demantuar këtë”, shtoi Ymeri.
Ka kaluar afër një muaj që kur tre operatorët energjetikë kërkuan rritje të tarifave të energjisë elektrike.
Ndërkohë që KESCO, tashmë e disa javë e ka një kërkesë të tyren në sirtarët e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë elektrike, e që është rritja e çmimit të energjisë, hic më pak se mbi 20 për qind./EO