OEK-u i shqetësuar për mundësinë e zgjedhjeve të reja: Stabiliteti politik, kusht për zhvillim ekonomik
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka shprehur shqetësimin lidhur me situatën aktuale politike në vend dhe mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të reja, duke theksuar se ekonomia e vendit ka nevojë për stabilitet dhe institucione funksionale.
Në një thirrje publike drejtuar partive politike parlamentare në Republikën e Kosovës, Oda vlerëson se në këtë fazë të ndjeshme të zhvillimit ekonomik, vendi ka nevojë për vendimmarrje të qëndrueshme dhe bashkëpunim institucional e jo për procese të reja zgjedhore që mund të thellojnë pasigurinë ekonomike dhe institucionale.
Në komunikatë OEK-u ka listuar pikat kyçe ku u ka bërë thirrje:
Thirrje për bashkëpunim politik
Oda u bën thirrje subjekteve politike që të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe të shmangin dërgimin e vendit në zgjedhje, duke nënvizuar se stabiliteti politik është parakusht për stabilitetin ekonomik.
Sektori privat i ndjeshëm ndaj zhvillimeve të jashtme
Sektori privat në Kosovë mbetet veçanërisht i ekspozuar ndaj luhatjeve ekonomike ndërkombëtare, për shkak të varësisë së lartë nga importi. Zhvillimet globale dhe rajonale mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në çmime, në zinxhirët e furnizimit dhe në nivelin e investimeve, duke rritur pasigurinë në treg.
Nevojë për investime dhe reforma strukturore
Oda Ekonomike vlerëson se vendi ka nevojë urgjente për rritje të investimeve të brendshme dhe të jashtme, si dhe për reforma të thella strukturore që do ta bënin Kosovën më konkurruese dhe më tërheqëse për biznes.
Kërkesë për masa mbështetëse ekonomike
Në kontekstin e zhvillimeve gjeopolitike dhe rreziqeve të mundshme për rritje të çmimeve apo çrregullime në zinxhirin e furnizimit, kërkohet që Qeveria dhe Kuvendi të jenë të përgatitur me një paketë të qartë mbështetëse për bizneset dhe konsumatorët.
Thirrje për komunikim të matur
Oda u bën apel bizneseve dhe opinionit publik që të tregojnë kujdes ndaj lajmeve të paverifikuara, të cilat mund të shkaktojnë panik dhe të ndikojnë negativisht në funksionimin e tregut.
Në përfundim, në emër të sektorit privat, Oda Ekonomike e Kosovës kërkon maturi politike, dialog konstruktiv dhe përgjegjësi shtetërore në funksion të zhvillimit ekonomik afatgjatë të vendit.