Basha thotë se kanë nisur shqyrtimin e gjendjes së rrugëve, ku kërkohet ndërhyrje emergjente
Ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka thënë se ka nisur shqyrtimin e gjendjes infrastrukturës rrugore në vend dhe sipas tij, fillimisht janë evidentuar pikat ku nevojitet ndërhyrje emergjente.
Basha tregon se situata më e ndjeshme paraqitet në rrugën e fshatit Carralevë të Komunës së Shtimes, si dhe në aksin Klinë–Gurakoc (segmenti në Krushevë) dhe në segmentin Zhur–Dragash, ku rrëshqitjet e dheut kanë cenuar trupin e rrugës dhe ku gjendja e tyre paraqet rrezik të lartë për qytetarët tanë që i frekuentojnë këto akse.
Ai bëri të ditur se për këtë zonë, projekti është i gatshëm dhe janë duke u marrë veprimet e nevojshme.
“Në anën tjetër, meqenëse për segmentet e dëmtuara në Klinë–Gurakoc (segmenti Krushevë) dhe atë në aksin Zhur–Dragash projektet e rehabilitimit nuk janë të gatshme, kam kërkuar që fillimisht të përgatiten sa më parë planet inxhinierike për sanim emergjent, e pastaj të procedohet me rehabilitimin e tyre sa më shpejt që e parashohin procedurat”, thekson ndër të tjera ministri Basha. /Zëri