Inspektorati i Tregut dhe ATK-ja po mbikëqyrin çmimet e derivateve të naftës

Inspektorati i Tregut dhe ATK-ja po mbikëqyrin çmimet e derivateve të naftës

Ekonomia March 10, 2026 - 13:30

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut pranë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka njoftuar se është duke zhvilluar mbikëqyrje intensive në tregun e derivateve të naftës për zbatimin e vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe vendosjen e masave mbrojtëse.

Sipas njoftimit, vendimi është nënshkruar më 4 mars 2026 nga ministrja Mimoza Kusari Lila dhe synon mbrojtjen e konsumatorëve, rritjen e transparencës, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme dhe parandalimin e çrregullimeve në treg.

Institucioni ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Administrata Tatimore e Kosovës janë duke u analizuar të dhënat lidhur me çmimet e importit dhe ato të ekspozuara për konsumatorët në tregun vendor.

Sipas evidencave zyrtare të Doganës së Kosovës, çmimi mesatar i importit për derivatet e naftës më 9 mars 2026 ka qenë:

Naftë (dizel): 1.44 euro për litër;

Benzinë: 1.17 euro për litër.

Ndërkohë, nga monitorimi i tregut vendor nga dita e shtunë deri më tani, çmimet e ekspozuara për konsumatorët në pikat e shitjes me pakicë kanë rezultuar:

Naftë (dizel): nga 1.44 deri në 1.55 euro për litër;

Benzinë: nga 1.26 deri në 1.31 euro për litër.

Bazuar në vendimin e 4 marsit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve, është përcaktuar edhe marzha tregtare maksimale e lejuar, përkatësisht dy euro-centë për litër për shitjen me shumicë dhe dymbëdhjetë euro-centë për litër për shitjen me pakicë.

Sipas autoriteteve, marzha tregtare nënkupton diferencën ndërmjet çmimit të shitjes dhe çmimit të furnizimit. /Zëri