42 biznese përfituese të granteve për digjitalizim e inovacion, në vlerë prej 150 mijë eurove
Foto: Ilustrim

42 biznese përfituese të granteve për digjitalizim e inovacion, në vlerë prej 150 mijë eurove

Ekonomia March 10, 2026 - 15:05

Janë nënshkruar marrëveshje me 42 ndërmarrje përfituese në kuadër të Skemës së Granteve për Digjitalizim, e cila synon mbështetjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në Kosovë për të përmirësuar proceset e tyre të punës dhe për të rritur konkurrueshmërinë në treg.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, e cila theksoi rëndësinë e digjitalizimit për zhvillimin ekonomik të ndërmarrjeve vendore.

“Sot, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me projektin EnInGeP, të financuar nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim (ADA), u nënshkruan 42 marrëveshje me ndërmarrje përfituese në kuadër të Skemës së Granteve për Digjitalizim", ka bërë të ditur ajo.

Sipas saj, kjo skemë përbën një mbështetje konkrete për bizneset vendore.

“Kjo skemë paraqet një mbështetje konkrete për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme për të përmirësuar proceset e tyre të punës, për të rritur efikasitetin dhe për t’u përshtatur me kërkesat e tregut modern", theksoi Kusari-Lila.

Në këtë ngjarje foli edhe Rita Glavitza, shefe e Zyrës së Bashkëpunimit Teknik – Zyra Rajonale pranë Ambasadës së Austrisë në Kosovë, e cila theksoi rëndësinë e kësaj skeme për zhvillimin dhe digjitalizimin e ndërmarrjeve në vend.

Sipas njoftimit, përmes kësaj skeme ndërmarrjet përfituese do të kenë mundësi të rrisin produktivitetin, të nxisin inovacionin dhe të forcojnë konkurrueshmërinë si në tregun vendor ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Shuma totale e kësaj faze të skemës së granteve për digjitalizim është 150 mijë euro, ndërsa grantet për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme variojnë nga 2.000 deri në 4.000 euro, varësisht nga shërbimi digjital i përzgjedhur.