Kusari-Lila: Nuk ka asnjë krizë në Kosovë për furnizim me naftë
Foto: Laura Hasani

Kusari-Lila: Nuk ka asnjë krizë në Kosovë për furnizim me naftë

Ekonomia March 10, 2026 - 19:52

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka njoftuar qytetarët se nuk ka asnjë krizë në furnizimin me derivate të naftës në Kosovë.

“Bazuar në të dhënat nga subjektet që merren me importin dhe tregtimin e derivateve, stoqet janë në nivel të rregullt dhe në suazat e zakonshme, njësoj si para zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme. Furnizimi në treg është stabil dhe pa ndërprerje”, ka deklaruar ministrja Mimoza Kusari- Lila.

Kusari-Lila thotë se nuk ka asnjë arsye për panik apo për krijim të rezervave të panevojshme.

Tutje, e para e MINTI-t, thekson se duke marrë parasysh stabilizimin e çmimeve të derivateve në bursat ndërkombëtare, aktualisht nuk ka bazë për rritje të çmimeve në tregun vendor, transmeton Klankosova.tv.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit po monitoron në vazhdimësi zbatimin e vendimit për marzhën e fitimit, ndërsa Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut është i angazhuar maksimalisht në terren për të siguruar respektimin e këtij vendimi dhe mbrojtjen e konsumatorëve”, theksoi ajo.

“Institucionet do të vazhdojnë ta monitorojnë nga afër tregun për të garantuar stabilitet në furnizim dhe çmime të drejta për qytetarët dhe bizneset”, shkruan në njoftimin e saj.