Shtrenjtohet sërish nafta në Kosovë
Foto: Zëri / Ilustrim

Shtrenjtohet sërish nafta në Kosovë

Ekonomia March 16, 2026 - 13:21

Deri në 1.55 euro për litër ka arritur çmimi i naftës në tregun me pakicë në Kosovë të hënën.

Kjo është konfirmuar për “Zërin” nga kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, i cili theksoi se çmimet e naftës varësisht nga kompanitë sillen nga 1.40 deri 1.55 euro për litër, ndërsa i benzinës nga 1.27 deri 1.39 euro për litër.

Sipas tij, çmimi i naftës me shumicë është 1.53 euro për litër.

Berjani po ashtu ka bërë të ditur se para përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës në Kosovë ka qenë nga 1.18 deri në 1.20 euro, kurse i benzinës nga 1.15 deri në 1.19 euro.

Berjani po ashtu bëri të ditur se qytetarët e Kosovës janë duke u furnizuar me derivate me çmimet më të lira në rajon, përveç Maqedonisë së Veriut.

“Qytetarët tanë janë duke u shërbyer me çmime më të lira në regjion, përveç Maqedonisë së Veriut, sepse ata e kanë akcizën për dizel për 22 centë më të ulët, ndërsa benzina është si te ne”, ka thënë Berjani për “Zërin”.

Më 5 mars ka hyrë në fuqi vendimi i Ministrisë së Tregtisë, Industrisë e Ndërmarrësisë (MINT) për caktimin e marzhës tregtare.

Vendimi përcakton marzhë të fitimit prej 2 centësh për shitjet me shumicë dhe 12 centësh për shitjet me pakicë.

Këtë vendim Berjani e ka quajtur të gabuar.

“Sa i përket vendimit të Ministrisë për marzhën e fitimit, i cili vendim parasheh 2 centë marzhë fitimi për import dhe 12 centë për pika karburanti. Ky vendim është i gabuar dhe në kohën e gabuar, ku në tërë globin është krizë për karburante”, theksoi Bejrani.

Çmimet e derivateve në rajon janë si në vijim:

Shqipëri: Nafta (dizeli) 2.10 euro, kurse benzina është 2.15 euro.

Serbi: Nafta (dizeli) 1.85 euro, kurse benzina 1.82 euro.

Mal i Zi: Nafta (dizeli) 1.85 euro, kurse benzina 1.82 euro.

Bosnjë dhe Hercegovinë: Nafta (dizeli) 1.65 euro, kurse benzina 1.60 euro.

Rritja po vazhdon si pasojë e përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme. Çmimet globale të naftës janë rritur ndjeshëm pas sulmeve të Iranit ndaj vendeve tjera në Lindjen e Mesme, si përgjigje ndaj sulmeve nga SHBA-ja dhe Izraeli. /Zëri