Oda Ekonomike me propozime për Qeverinë për të frenuar rritjen e çmimit të naftës
Foto: Laura Hasani

Oda Ekonomike me propozime për Qeverinë për të frenuar rritjen e çmimit të naftës

Ekonomia March 18, 2026 - 13:35

Duke parë rritjen e çmimeve të derivateve të naftës në Evropë për shkak të zhvillimeve të fundit gjeopolitike, Oda Ekonomike e Kosovës ka bërë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme fiskale për të mbrojtur bizneset dhe qytetarët e vendit.

Sipas Odës, rritja e çmimeve të derivateve ka ndikim të drejtpërdrejtë në inflacion, duke rritur kostot e prodhimit, ulur standardin e jetesës dhe ngadalësuar zhvillimin ekonomik. Për këtë arsye Oda propozon që Qeveria të marrë masa konkrete, si:

Ulja e tatimit mbi akcizën për derivatet e naftës;

Lirim i përkohshëm nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për derivatet e naftës, ose ulja e normës së TVSH-së.

Këto masa pritet të ulin çmimet për bizneset prodhuese dhe qytetarët, të lehtësojnë barrën financiare dhe të stabilizojnë tregun. Oda thekson se TVSH-ja, e kombinuar me akcizën, ndikon drejtpërdrejt në çmimin përfundimtar të karburantit.

Sipas Odës, masa të ngjashme kanë nisur të zbatohen në disa vende të Bashkimit Evropian dhe rajonit, për të frenuar rritjen e mëtejshme të çmimeve, e cila rrit vështirësitë për bizneset dhe rrezikun e varfërisë për qytetarët.

Oda Ekonomike e Kosovës shpreh gatishmërinë për të ofruar ekspertizën e saj në hartimin e politikave fiskale që mbështesin zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin e tregut në vend. /Zëri