Familjet përfituese nga efiçienca nuk humbin asistencën sociale
Foto: Laura Hasani

Familjet përfituese nga efiçienca nuk humbin asistencën sociale

Ekonomia March 20, 2026 - 06:10

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare njofton se familjet të cilat tashmë janë përfituese nga projekti “Green Energy Future”, i financuar nga Qeveria e Danimarkës dhe i zbatuar nga UNDP në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë dhe Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), nuk do të humbin të drejtën për asistencë sociale për shkak të përfitimit nga renovimi i shtëpive me masa të efiçiencës së energjisë.

Sipas njoftimit të kësaj ministrie, ky projekt synon të mbështesë familjet më të cenueshme përmes përmirësimit të kushteve të banimit dhe uljes së kostove të energjisë, duke përfshirë ndërhyrje si izolimi i shtëpive, ndërrimi i dritareve dhe dyerve, si dhe përmirësimi i kulmeve dhe elementeve të tjera të efiçiencës së energjisë.

“Përfitimi nga këto masa është pjesë e një projekti zhvillimor dhe nuk konsiderohet ndryshim në gjendjen ekonomike të familjeve, prandaj nuk ndikon në të drejtën e tyre për të qenë pjesë e skemës së asistencës sociale përderisa familja vazhdon të plotësojë kriteret për të qenë pjesë e skemës”, thuhet në njoftim.

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka inkurajuar familjet e përzgjedhura që të bashkëpunojnë me Qendrat për Punë Sociale dhe institucionet përkatëse për kompletimin e dokumentacionit të nevojshëm dhe realizimin e ndërhyrjeve që do të përmirësojnë efikasitetin energjetik të shtëpive të tyre.

Tutje theksohet se ky bashkëpunim institucional synon të sigurojë që familjet në nevojë të përfitojnë nga masat që përmirësojnë mirëqenien dhe kushtet e tyre të jetesës.