Rriten çmimet e derivateve, ekonomistët: Të ulen akciza dhe TVSH-ja
Foto: Zëri / Ilustrim

Rriten çmimet e derivateve, ekonomistët: Të ulen akciza dhe TVSH-ja

Ekonomia March 23, 2026 - 13:45

Në Kosovë çmimi i naftës është rritur ndjeshëm gjatë dy javëve të fundit, duke arritur në rreth 1.71 euro për litër. Ekonomistët thonë se Qeveria duhet të ndërmarrë hapa për uljen e akcizës dhe TVSH-së. Edhe qytetarët theksojnë se çmimet e derivateve në vend janë të larta.

Kosova është vend importues dhe ndikohet drejtpërdrejt nga çmimet globale të naftës, sidomos nga tensionet në Lindjen e Mesme. Aktualisht në Kosovë një litër naftë ka arritur në 1.71 euro.

Qytetarët janë ata që po bartin pasojat e çdo ndryshimi. Ata që udhëtojnë çdo ditë dhe për të cilët veturat janë pjesë e përditshmërisë thonë se këto çmime janë shumë të larta. Në disa raste, disa prej tyre thonë se po furnizohen në vendet fqinje për shkak të ofertave më të lira.

“Për momentin, derivatet në Kosovë janë shumë të shtrenjta. Nuk ka zgjidhje tjetër përveçse ose të dalim në këmbë, ose të shkojmë të furnizohemi në Maqedoni ose Mal të Zi, sepse në Kosovë janë shtrenjtuar tepër. Sa i përket çmimeve në Kosovë, janë shumë të larta, dhe në veçanti derivatet janë shtrenjtuar shumë kohën e fundit. Vetëm duke shkuar në Maqedoni për t’u furnizuar, sepse atje çmimet janë më të lira”, tha një qytetar.

Njohës të ekonomisë vlerësojnë se shembulli i shteteve fqinje duhet të merret si model për Kosovën, në mënyrë që të mos u rëndohet edhe më shumë jeta qytetarëve.

Ekonomisti Lulzim Beqiri thotë për Radio Kosovën se heqja e akcizës dhe ulja e TVSH-së për derivate janë alternativa e vetme aktualisht në Kosovë, të cilat kanë filluar të zbatohen edhe nga vendet e rajonit për të përballuar rritjen e çmimeve dhe për të mbrojtur qytetarët.

“Kjo do t’u ndihmonte qytetarëve të vendit, të cilët do të kishin të paktën një përkujdesje nga shteti, dhe njëkohësisht do të ndihmonte edhe bizneset për të parandaluar zinxhirin e rritjes së çmimeve në të gjithë linjën e prodhimit. Prandaj, është e domosdoshme që institucionet përkatëse të ulin akcizën dhe TVSH-në. Në këtë mënyrë, çmimi maksimal për një litër naftë do të ishte rreth 1.20 euro dhe do të ishte më i përballueshëm për qytetarët e Kosovës. Dëmi nuk është i madh për buxhetin e shtetit, sepse jemi në krizë dhe shteti duhet të marrë përsipër edhe obligimet që ka ndaj qytetarëve”, thotë Beqiri.

Njohës të ekonomisë thonë se kjo do të ishte ndihma më direkte, duke pasur parasysh se tashmë është në fuqi edhe marzha e fitimit sipas vendimit të Ministrisë së Tregtisë. Vendimi përcakton marzhë të fitimit prej 2 centë për shitjet me shumicë dhe 12 centë për shitjet me pakicë.

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, përmes inspektimeve të përditshme dhe të vazhdueshme në terren ndaj operatorëve, ka intensifikuar mbikëqyrjen në sektorin e derivateve të naftës në të gjithë vendin. Për dallim nga Kosova, aktualisht Maqedonia e Veriut ka ulur TVSH-në për derivatet nga 18% në 10% për dy javë.