Kosova mbi mesataren rajonale për transparencë buxhetore, por me mangësi në pjesëmarrje dhe mbikëqyrje

Kosova mbi mesataren rajonale për transparencë buxhetore, por me mangësi në pjesëmarrje dhe mbikëqyrje

Ekonomia March 25, 2026 - 15:03

Në një ngjarje rajonale të mbajtur në Tiranë, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve publike, shoqërisë civile dhe Bashkimi Evropian, International Budget Partnership (IBP) ka publikuar rezultatet e Anketës së Buxhetit të Hapur 2025 (OBS) për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë.

Anketa për Kosovën është realizuar nga Instituti GAP në bashkëpunim me IBP, duke vlerësuar transparencën buxhetore, mbikëqyrjen dhe pjesëmarrjen e publikut në procesin buxhetor, transmeton Zeri.info.

Image

Sipas rezultateve, Kosova ka shënuar 57 nga 100 pikë në transparencën buxhetore, duke tejkaluar mesataren rajonale prej 52 pikësh. Megjithatë, raporti thekson se, ndonëse Ministria e Financave harton dokumente shpjeguese për qytetarët, ato nuk publikohen me kohë, ndërsa mungon edhe publikimi i rishikimit buxhetor të mesit të vitit.

Sa i përket pjesëmarrjes publike, Kosova ka marrë 32 pikë, rezultat më i mirë në rajon, kryesisht falë dëgjimeve buxhetore në nivel komunal. Në nivel qendror, sipas raportit, mungojnë konsultimet me qytetarët dhe shoqërinë civile, ndërsa edhe Kuvendi nuk organizon dëgjime publike para miratimit të projektbuxhetit.

Në aspektin e mbikëqyrjes dhe auditimit, Kosova ka arritur 61 pikë në total. Mbikëqyrja legjislative vlerësohet me 50 pikë, ndërsa ajo nga auditimi i pavarur arrin 84 pikë, duke treguar nivel më të avancuar të kontrollit të jashtëm financiar.

Megjithatë, raporti nënvizon mungesën e një mbikëqyrjeje efektive nga Kuvendi gjatë zbatimit të buxhetit, si dhe mungesën e një institucioni të pavarur fiskal, që në shumë vende shërben për forcimin e kontrollit financiar.

Në nivel rajonal, OBS 2025 evidenton përparim në publikimin e dokumenteve buxhetore, por sfidat mbeten në rritjen e pjesëmarrjes së publikut dhe në zbatimin e rekomandimeve të auditimit nga ekzekutivi. /Zëri