“Dallaveret” me njehsorë, Abdixhku kërkon hetim të menjëhershëm
Foto: Laura Hasani

“Dallaveret” me njehsorë, Abdixhku kërkon hetim të menjëhershëm

Ekonomia March 26, 2026 - 11:31

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar hetim të menjëhershëm sa i përket hulumtimit të tyre lidhur me “llogaritjen e kohës gabimisht nga njehsorët elektrikë”.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, pos të tjerash, i pari i LDK-së kërkoi edhe përgjegjësi institucionale, kompensim për qytetarët dhe ndaljen e çdo rritjeje të tarifave deri në zbardhjen e plotë të gjendjes reale.

LDK-ja i ftoi po ashtu qytetarët të kontrollojnë njehsorët e tyre.

“Kur shteti dështon, padrejtësia hyn në çdo shtëpi. Ajo që u prezantua dje në konferencë nga Departamenti ynë për Energji, përmes anëtarit tonë Visar Azemi, është alarmante. Qytetarët po paguajnë më shtrenjtë jo sepse konsumojnë më shumë, por sepse sistemi i matjes po keqllogaritë”.

“Nga verifikimi i 884 njehsorëve që aktivistët tanë kanë bërë, 87% rezultojnë të llogarisin kohën gabimisht, duke faturuar energjinë me tarifë të shtrenjtë edhe gjatë orëve të natës. Kjo nuk është më rastësi. Është dështim sistemik. Ne zotohemi se këtë çështje do ta ndjekim në të gjitha nivelet institucionale, deri në vendosjen e drejtësisë për çdo qytetar”, ka shkruar Abdixhiku.