ZRRE-ja shtyn vendimin për daljen në tregun e hapur të energjisë
Foto: Laura Hasani

ZRRE-ja shtyn vendimin për daljen në tregun e hapur të energjisë

Ekonomia March 27, 2026 - 10:17

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka bërë të ditur se është duke zhvilluar një proces të detajuar të shqyrtimit dhe vlerësimit të kostove të ndërmarrjeve të rregulluara në kuadër të rregullimit të tregut të energjisë elektrike në vend.

Sipas njoftimit, për shkak të kompleksitetit të të dhënave dhe nevojës për një analizë të plotë e të thelluar, procesi i vendimmarrjes është shtyrë për një periudhë shtesë. Si pasojë e kësaj, është vendosur që afati për largimin e konsumatorëve nga shërbimi universal të shtyhet deri më 1 maj 2026.

ZRRE sqaron se kjo shtyrje synon të sigurojë një proces sa më të drejtë, transparent dhe të bazuar në analiza të sakta financiare dhe teknike, duke marrë në konsideratë ndikimin që vendimet mund të kenë tek konsumatorët dhe operatorët e tregut.

Megjithatë, pavarësisht shtyrjes së afatit, konsumatorët që konsiderohen të kualifikuar për dalje në tregun e hapur të energjisë, nuk do të pengohen të ushtrojnë këtë të drejtë. Duke filluar nga data 1 prill 2026, ata mund të nisin procedurat për kalimin tek furnizuesit alternativë, në përputhje me kushtet dhe afatet e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.

Ky zhvillim lidhet drejtpërdrejt me liberalizimin gradual të tregut të energjisë në Kosovë, proces i cili synon rritjen e konkurrencës, përmirësimin e shërbimeve dhe ofrimin e më shumë mundësive për konsumatorët në zgjedhjen e furnizuesit të energjisë elektrike.

ZRRE thekson se do të vazhdojë të monitorojë nga afër këtë proces dhe do të njoftojë publikun dhe palët e interesuara për çdo ndryshim apo vendim të ri në kohë reale./Zëri