Ahmeti: Liberalizimi i paanalizuar dhe rritja e çmimit të energjisë po dëmtojnë bizneset dhe qytetarët
Drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Kushtrim Ahmeti, ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me procesin e liberalizimit të tregut të energjisë, duke e cilësuar atë si të paanalizuar dhe me pasoja të rënda për ekonominë.
Sipas tij, nuk është bërë asnjë analizë paraprake për ndikimin e këtij procesi tek bizneset, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme që një gjë e tillë të realizohej që në fazën fillestare.
Ai theksoi se bizneset dhe qytetarët që kanë hyrë në fazën e parë të liberalizimit po përballen me çmime shumë më të larta të energjisë, deri në trefishim, si dhe me reduktime të ashpra të furnizimit.
Sipas Ahmetit, këto zhvillime kanë shkaktuar dëme të mëdha në sistemet teknike të bizneseve dhe në funksionimin e tyre të përgjithshëm, duke paralajmëruar pasoja të rënda për ekonominë e vendit nëse situata vazhdon me të njëjtin ritëm.
“Nuk është krijuar asnjë kusht, nuk është bërë asnjë analizë paraprake siç e kemi kërkuar edhe në fazën e parë, fillimisht e kishim një analizë për të parë se në çfarë janë bizneset që kanë kaluar në fazën e parë të liberalizimit të energjisë, kur kemi thënë në fillim që liberalizimi është duke u bërë në mënyrë të paanalizuar, pra kemi folur për çështjen e funksionimit të sistemit teknik të rrjetit energjetik. Të gjitha bizneset, qytetarët të cilët paguajnë trefishin e energjisë elektrike në fazën e parë janë përballë me reduktime jashtëzakonisht të ashpra të energjisë elektrike si dhe me dëme të mëdha në sistemin e tyre teknike si dhe në biznes në përgjithësi. Ekonomia do të pësojë dëme jashtëzakonisht të shumta dhe qytetarët, gjitha këto tashmë po vërtetohen gati çdo muaj. Për mua është shqetësuese që prapë të kemi një rritje të çmimit të energjisë”, ka deklaruar Ahmeti në Tëvë1.